– “Irani dhe boshti i tij mbeten në shënjestrën tonë. Fushata kundër Iranit nuk ka mbaruar”, ka thënë Eyal Zamir
Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Izraelit, Eyal Zamir, ka thënë se lufta kundër Iranit nuk ka mbaruar, transmeton Anadolu.
“Irani dhe boshti i tij mbeten në shënjestrën tonë. Fushata kundër Iranit nuk ka mbaruar”, ka thënë Zamir gjatë një takimi vlerësues ushtarak, siç citohet nga një deklaratë e ushtrisë.
Ai ka thënë se e ka udhëzuar ushtrinë të përgatitej për “një fushatë të vazhdueshme në shkallë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse” në disa zona ku forcat izraelite kryejnë ofensiva ajrore dhe tokësore.
“Ne do të vazhdojmë të dobësojmë dhe të parandalojmë Sirinë dhe Hezbollahun nga arritja e aftësive strategjike dhe të ruajmë lirinë tonë të veprimit. Ne po operojmë në Jude dhe Samari (Bregun Perëndimor)”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë gjithashtu se lufta në Rripin e Gazës “është një nga më komplekset që IDF-ja (ushtria) ka njohur ndonjëherë”.
“Po paguajmë një çmim të lartë në luftime”, ka thënë ai. “Do të vazhdojmë të operojmë për të arritur objektivat tona: kthimin e pengjeve dhe shpërbërjen e Hamasit”, ka shtuar Zamir.
Izraeli ka vrarë më shumë se 59.100 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.