Freuding tha se forcat e armatosura gjermane duhet të përmirësojnë me shpejtësi kapacitetet në pesë fusha kryesore për t’u përshtatur me natyrën në ndryshim të luftës
Sipas komandantit më të lartë të ushtrisë gjermane, gjeneral-lejtnanti Christian Freuding, fushëbeteja e së ardhmes do të dominohet nga inteligjenca artificiale, dronët dhe sistemet digjitale të komandës, por tanket dhe ushtarët do të mbeten të domosdoshëm për mbajtjen e territorit, transmeton Anadolu.
Freuding tha se forcat e armatosura gjermane duhet të përmirësojnë me shpejtësi kapacitetet në pesë fusha kryesore për t’u përshtatur me natyrën në ndryshim të luftës.
Duke folur për The Economist, Freuding identifikoi si prioritete për forcat tokësore gjermane fuqinë e zjarrit indirekt dhe kapacitetet e goditjeve me rreze të gjatë, mbrojtjen ajrore, luftën elektromagnetike, bashkëpunimin mes sistemeve të drejtuara nga njeriu dhe atyre pa pilot, si dhe komandën dhe kontrollin e mbështetur nga inteligjenca artificiale.
“Ne kemi nevojë për kapacitete komanduese dhe kontrolli të mbështetura nga inteligjenca artificiale”, tha ai, duke argumentuar se ushtritë moderne nuk mund të mbështeten më vetëm te njerëzit për të përpunuar sasinë e madhe të informacionit që gjenerohet në fushëbetejë.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për marrjen e informacionit dhe më pas përpunimin e një sasie të madhe të dhënash dhe nuk mendoj se kjo mund të jetë më një detyrë njerëzore. Për këtë je shumë i ngadalshëm”, tha ai.
Sipas tij, operacionet ushtarake të së ardhmes do të varen nga rrjetet digjitale të afta për të mbledhur, përpunuar dhe shfrytëzuar të dhënat e fushëbetejës përmes inteligjencës artificiale, me qëllim përshpejtimin e vendimmarrjes.
“Ju nevojitet një infrastrukturë e të dhënave, një shtyllë digjitale për të mbledhur të gjithë këtë informacion dhe të gjitha këto të dhëna, e më pas t’i shfrytëzoni ato duke përdorur inteligjencën artificiale”, tha ai.
Freuding gjithashtu tha se roli i tankut do të evoluojë dhe jo të zhduket, duke i përshkruar mjetet e blinduara të së ardhmes si qendra komanduese për ekipe sistemesh autonome.
“Një tank duhet të bëhet një lloj qendre komande dhe kontrolli, një lloj anije amë”, tha ai, duke shtuar se mjetet e blinduara do të drejtojnë robotë tokësorë dhe sisteme pa pilot, duke ruajtur njëkohësisht rolin e tyre tradicional të zjarrit të drejtpërdrejtë në situata të luftimeve të afërta.
Komandanti gjerman hodhi poshtë idenë e një fushëbeteje plotësisht autonome, duke këmbëngulur se ushtarët do të mbeten përgjegjës për përdorimin e forcës.
“Në fund të fundit, ekziston një vendimmarrës njerëzor. Nuk besoj se do të shohim një fushëbetejë plotësisht pa njerëz në të ardhmen”, tha ai.







