– “Ne po shohim një valë vdekjeprurëse të vdekjeve të lidhura me kequshqyerjen”, tha Tedros, duke theksuar se 2.1 milionë njerëz në enklavë janë të bllokuar në një zonë lufte
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se Gaza tani po përballet me “urri masive”, me një rritje të mprehtë të vdekjeve nga kequshqyerja, përfshirë edhe fëmijët, për shkak të kufizimeve të rënda në ndihma dhe konfliktit të vazhdueshëm, transmeton Anadolu.
“Ne po shohim një valë vdekjeprurëse të vdekjeve të lidhura me kequshqyerjen”, tha Tedros në një konferencë për media në Gjenevë, duke theksuar se 2.1 milionë njerëz në enklavë janë të bllokuar në një zonë lufte.
“Që nga 17 korriku, qendrat për kequshqyerje akute të rëndë janë të mbushura, pa furnizime të mjaftueshme për ushqim emergjent”, shtoi ai.
Sa i përket ndikimit të rëndë tek fëmijët, ai tha se deri më tani këtë vit OBSH-ja ka dokumentuar 21 vdekje të lidhura me kequshqyerjen tek fëmijët nën 5 vjeç.
Tedros tha se norma e kequshqyerjes akute globale në Gaza tani kalojnë 10 për qind, ndërsa mbi 20 për qind e grave shtatzëna dhe atyre që ushqejnë me gji janë të kequshqyera, shumë prej tyre në mënyrë të rëndë. Ai shtoi se kolapsi i rrjeteve të ndihmës dhe kufizimet në qasje po përshpejtojnë krizën.
Një bllokadë e plotë nga fillimi i marsit deri në mesin e majit ndaloi çdo furnizim me ushqim në Gaza për gati 80 ditë rresht. Sipas shefit të OBSH-së, edhe pse furnizimet janë rifilluar, ato mbeten “larg më të ulëta se nga e nevojshmja” për të përmbushur nevojat e popullsisë.
Situata me ujin është gjithashtu e rëndë. Tedros tha se 95 për qind e familjeve përballen me mungesë të theksuar, me qasje ditore shumë më poshtë nivelit minimal të kërkuar për ujë të pijshëm, si dhe për gatim dhe higjienë.
Ai përshkroi skena dëshpërimi, me fëmijë që flenë duke qarë nga uria§ dhe vendet e shpërndarjes së ushqimit që janë kthyer në “vende dhune”, ndërsa autoritetet shëndetësore raportojnë mbi 1 mijë njerëz të vrarë në Gaza që nga 27 maji teksa përpiqeshin të siguronin ushqim në këto pika.
“Ka uri masive. Ne kërkojmë qasje të plotë dhe kërkojmë armëpushim”, tha ai.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli në Rripin e Gazës ka vrarë të paktën 59 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, ka kolapsuar sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të rënda ushqimore.