Shefi i NATO-s i kërkon Indisë, Kinës dhe Brazilit të telefonojnë Putinin për të kërkuar bisedime paqeje

Shefi i NATO-s, Mark Rutte i ka paralajmëruar Indinë, Kinën dhe Brazilin se mund të goditen shumë rëndë nga sanksionet dytësore nëse vazhdojnë të tregtojnë me Rusinë, duke i nxitur ata të telefonojnë Vladimir Putinin për të kërkuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi Donald Trump kërcënoi me tarifa dytësore “të ashpra” prej 100% për blerësit e eksporteve ruse, nëse Moska nuk bën paqe në Ukrainë brenda 50 ditëve,

Duke folur në një takim me senatorë në Kongresin Amerikan, Rutte tha: “Inkurajimi im për këto tre vende është, mund të dëshironi ta shqyrtoni këtë sepse kjo mund t’ju godasë shumë rëndë”.

“Ju lutem telefononi Vladimir Putinin dhe i thoni se duhet të merret seriozisht me bisedimet e paqes”, shtoi Rutte.

Një ditë më parë, Rutte së bashku me Trumpin mbajtën një konferencë për media në Shtëpi të Bardhë, nga ku deklaruan se SHBA-ja është pajtuar t’i shesë armë moderne NATO-s, të cilat më pas do t’i transferohen Ukrainës.

Kategoritë
BotaLajme