– Tajani tha se pushtimi që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet t’i urdhërojë ushtrisë ta realizojë nuk do të ishte “përgjigja e duhur”
Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, njëherësh zv/kryeministër, Antonio Tajani, ka deklaruar se për Izraelin do të ishte një “gabim serioz” pushtimi i Gazës, pavarësisht “përgjegjësive të mëdha” të Hamasit, transmeton Anadolu.
Para gazetarëve jashtë Dhomës së Deputetëve, Tajani tha se pushtimi që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet t’i urdhërojë ushtrisë ta realizojë nuk do të ishte “përgjigja e duhur”.
“Ne jemi të gatshëm për sanksione të reja kundër kolonëve të dhunshëm. Jo më bombardime, jo më pushtime”, theksoi Tajani.
Shefi i diplomacisë italiane gjithashtu tha se Hamasi duhet të lirojë pengjet që po mban në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, si dhe kërkoi nga Izraeli të mos bjerë në “kurthin” e Hamasit.
“Ne duhet të punojmë për paqen”, tha ai.
Ai theksoi rrezikun e më shumë vdekjeve, duke theksuar se “kjo është e papranueshme”.