– Sulmuesi u identifikua si Shane Tamura dhe ka një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.
Sipas të dhënave fillestare, katër persona përfshirë një oficer policie, u vranë dhe një person u plagos nga të shtënat me armë në qytetin New York të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Autoritetet njoftuan se sulmi me armë ndodhi në zonën Manhattan të New Yorkut nga një person i cili hapi zjarr. Sipas informacioneve të siguruara nga burimet, në sulm u qëlluan pesë persona, përfshirë një oficer policie.
Kryebashkiaku i New Yorkut, Eric Adams i paralajmëroi qytetarët të qëndrojnë larg nga zona. Ai tha se katër persona, përfshirë oficerin 36-vjeçar të policisë Didarul Islam, u vranë në sulm dhe një person u dërgua në spital me plagë të rënda.
Zëvendësdrejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) të SHBA-së, Dan Bongino, në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale tha se personeli i FBI-së ka mbërritur në vendngjarje për të ofruar mbështetje.
– Policia e New Yorkut njofton se personi që qëlloi është neutralizuar
Departamenti i Policisë së New Yorkut (NYPD) lëshoi një deklaratë duke i qetësuar banorët menjëherë pas incidentit, i cili shkaktoi panik në qytet.
Komisarja e Policisë së NYPD-së, Jessica Tisch në një deklaratë në llogarinë e saj në X tha se “Vendi i ngjarjes është aktualisht nën kontroll dhe sulmuesi i cili ka vepruar i vetëm është neutralizuar”.
Në lajmet e mediave amerikane që bazohen në policinë e New Yorkut janë përfshirë informacione se sulmuesi ka kryer vetëvrasje në katin e 33-të të një ndërtese në “Park Avenue”. Gjithashtu NYPD ka konfirmuar se agresori ka kryer vetëvrasje.
Sulmuesi u identifikua si Shane Tamura dhe ka një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.
Pamjet e kamerave të sigurisë të shpërndara në mediat sociale tregojnë një të dyshuar mashkull me syze të errëta dhe flokë kaçurrela, duke mbajtur një armë me tytë të gjatë, duke hyrë në ndërtesën me numër 345 në “Park Avenue”.