Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Izraeli po vret të gjithë gazetarët për të vrarë të vërtetën”, “Ndaloni shkatërrimin”, “Nuk ka paqe në tokën e vjedhur” dhe “Nuk mund ta mbuloni gjenocidin”
Demonstruesit pro-palestinezë në SHBA protestuan kundër sulmeve të Izraelit në Gaza dhe shënjestrimit të gazetarëve që raportojnë këto sulme, transmeton Anadolu.
Protestuesit u mblodhën para selisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York. Protestuesit mbajtën në duar flamuj palestinezë, goditën tenxhere dhe tiganë për të demonstruar reagimin e tyre ndaj sulmeve të vazhdueshme të Izraelit ndaj Gazës.
Gjatë protestimit të tyre edhe kundër shënjestrimit të gazetarëve që mbulojnë gjenocidin izraelit në Gaza, protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Izraeli po vret të gjithë gazetarët për të vrarë të vërtetën”, “Ndaloni shkatërrimin”, “Nuk ka paqe në tokën e vjedhur” dhe “Nuk mund ta mbuloni gjenocidin”.
Ndërkohë ekipet e Departamentit të Policisë së New Yorkut (NYPD) arrestuan disa protestues pro-palestinezë.
Në sulmin që ushtria izraelite kreu më 10 gusht ndaj tendës ku qëndronin gazetarët pranë spitalit “Al-Shifa” në qytetin e Gazës u vranë 6 gazetarë, përfshirë gazetarët e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe Mohamed Quraika.
Sipas Zyrës për media të Qeverisë Palestineze në Rripin e Gazës, bashkë me këtë sulm rritet në 238 numri i punonjësve të medias që Izraeli ka vrarë në Gaza që nga 7 tetori 2023.
Si pasojë e sulmeve të kryera me mbështetjen e SHBA-së janë vrarë 61.599 palestinezë dhe janë plagosur 154.088 të tjerë ndërsa më shumë se 9.000 persona janë të zhdukur. Qindra mijëra njerëz janë zhvendosur dhe shumë të tjerë përfshirë dhjetëra fëmijë, kanë vdekur nga uria.