SHBA-ja zbaton rritje çmimi për armët që i shet Evropës për dërgesat në Ukrainë

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent tha se presidenti Donald Trump zbaton një rritje çmimi prej 10 për qind për armët e shitura shteteve evropiane për dërgesat në Ukrainë

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent deklaroi se presidenti Donald Trump zbaton një rritje çmimi prej 10 për qind për armët e shitura shteteve evropiane për dërgesat në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Në një intervistë për kanalin “Fox News”, Sekretari Bessent foli për luftën Rusi-Ukrainë dhe bisedimet e fundit të paqes. Duke rikujtuar se SHBA-ja u shet armë shteteve evropiane dhe këto ia shesin sërish këto armë Ukrainës, Bessent tha se Trump po e monitoron çështjen “me kujdes”.

“Presidenti Trump po zbaton një rritje çmimi prej 10 për qind për armët. Ndoshta kjo rritje prej 10 për qind do të mbulojë koston e mbështetjes ajrore”, tha Bessent. Ai tha se ishte dëshmitar i bisedë telefonike që Trump zhvilloi me presidentin rus Vladimir Putin menjëherë pas takimit të tij më 18 gusht me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe disa udhëheqës evropianë.

Bessent shtoi se Putini gjatë bisedës tregoi qëllimin e tij për t’u takuar me Zelenskyyn. Trump u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë më 15 gusht dhe njoftoi se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje përfundimtare.

Më pas Trump më 18 gusht u takua në Shtëpinë e Bardhë me Zelenskyyn dhe liderët evropianë. Në takim morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti finlandez Alexander Stubb, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Friedrich Merz.

Trump tha se takimi i tij me udhëheqësit evropianë kaloi shumë mirë dhe se kishte filluar përgatitjet për një samit trepalësh ku do të takohen Putin dhe Zelenskyy, në të cilin do të marrë pjesë edhe ai vetë.

Kategoritë
BotaLajme