Zv/presidenti i SHBA-së, J.D. Vance tha se nëse arrihet marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, vendet evropiane do të duhet të marrin përsipër “pjesën më të madhe” të barrës për sigurinë e Ukrainës
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, J.D. Vance tha se Evropa do të duhet të marrë përsipër pjesën më të madhe të barrës në garantimin e sigurisë së Kievit pas luftës Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu.
Në një program ku mori pjesë në “Fox News”, Vance deklaroi se nëse arrihet marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, vendet evropiane do të duhet të marrin përsipër “pjesën më të madhe” të barrës për sigurinë e Ukrainës. Ai tha se Evropa mban përgjegjësinë kryesore për shkak të afërsisë së saj me Ukrainën dhe interesave të sigurisë që rrjedhin nga kjo.
“Ky është kontinenti i tyre, kjo është siguria e tyre dhe presidenti (Donald Trump) ka qenë shumë i qartë se ata duhet të ndërmarrin veprime për këtë çështje”, u shpreh Vance.
Më tej ai tha se SHBA-ja do të ndihmojnë nëse është e nevojshme për të ndaluar luftën dhe vdekjet dhe se presin që Evropa të marrë “rol udhëheqës”.
Vance tha se SHBA-ja është e hapur për diskutime mbi këtë çështje, por nuk do të bëjë asnjë angazhim pa e ditur më parë se si do të ndalet lufta.
– “Musk duhet t’i qëndrojë besnik Partisë Republikane”
Vance e paralajmëroi biznesmenin miliarder amerikan Elon Musk kundër formimit të një partie të re politike, duke thënë se ai mund të fitojë më shumë ndikim duke mbetur “besnik” ndaj Partisë Republikane dhe lëvizjes MAGA (Make America Great Again) të Trumpit.
“Këshilla ime për Elonin do të jetë që ai të përpiqet ta rregullojë Partinë Republikane. Mundohu ta realizosh me mënyrën tënde. Mos u pajto në të njëjtin mendim me mua sa të duash, mos u pajto me presidentin e SHBA-së, por mos pretendo se mund të bësh një ndryshim të madh me një palë të tretë”, tha ai.