SHBA deklarohet për vizitën e Baker në Kosovë, theksohet partneriteti i fortë në fushën e mbrojtjes

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka komentuar vizitën zyrtare të Zëvendësndihmëssekretarit të Mbrojtjes, David Baker, dhe Gjeneralit Brigadier Chris McKinney.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, zyrtarët amerikanë u takuan me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, Komandantin e FSK-së, Gjeneral Lejtnant Bashkim Jashari, si dhe me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani.

Gjithashtu, ata vizituan kampin ushtarak amerikan “Bondsteel” dhe u takuan me trupat amerikane të stacionuara në Kosovë.

Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, gjatë vizitës, Zëvendësndihmëssekretari Baker theksoi përkushtimin e SHBA-së për të forcuar partneritetin në fushën e mbrojtjes me Kosovën dhe për të thelluar bashkëpunimin në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Më të fortë dhe më të sigurt”, përfundon deklarata e Ambasadës në Facebook./Telegrafi/

Kategoritë
LajmeVendi