Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të ballafaqohet në gjykatë të martën me akuzat për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve sekrete. Kjo është hera e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, që ndaj një ish-presidenti të ngrihen akuza federale. Ngritja e aktpadisë ka shkaktuar debate që sa vijnë e intensifikohen, kryesisht përgjatë linjave partiake.
Debatet publike po ziejnë në prag të daljes së zotit Trump para një gjykate në Florida të martën lidhur me aktpadinë e fundit. Ai përballet me 37 akuza, përfshirë pretendimet për mbajtje të qëllimtë të dokumenteve sekrete të mbrojtjes, konspiracion, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme, shkruan VOA.
“Ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është hera e parë në historinë amerikane që ndaj një ish-presidenti ngrihen akuza federale. Nga perspektiva ligjore, muret rreth ish-presidentit Trump po mbyllen”, thotë James Sample, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Hofstra.
Senatori republikan Lindsey Graham tha gjatë emisionit “This Week” të kanalit ABC, se akuzat janë përpjekje, siç tha ai, për ta ‘delegjitimuar’ ish-presidentin.

