Ish-ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher R. Hill, i është bashkuar si këshilltar Iniciativës Pupin me qendër në Uashington – një organizatë jo-fitimprurëse që synon forcimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një njoftim zyrtar të publikuar në faqen e internetit të kësaj organizate, thuhet:
“Na nderon që mund të mirëpresim ambasadorin Christopher R. Hill dhe Dr. Kaush Arha si këshilltarë të lartë të Iniciativës Pupin. Emërimet e tyre përbëjnë një hap të rëndësishëm në zgjerimin e pranisë sonë në Uashington, duke ruajtur përkushtimin ndaj misionit jopartiak për të forcuar lidhjet SHBA–Serbi.”
Christopher Hill ka shërbyer si ambasador në Beograd nga mars 2022 deri në janar 2025 dhe më herët ka qenë ambasador i SHBA-së në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Ai njihet për njohuritë e thella mbi rajonin dhe zotëron gjuhët serbe dhe maqedonase, gjë që e ka bërë një figurë të rregullt në konferenca dhe forume në Ballkan.
Iniciativa Pupin, e themeluar në tetor 2023 nga tre biznesmenë me origjinë serbe në SHBA, drejtohet nga Vuk Velebit dhe ka për qëllim promovimin e politikave afirmative amerikane ndaj Serbisë në sfera politike, ekonomike, të sigurisë dhe kulturore.
Ky forum lobimi konsiderohet si një nga mjetet më të sofistikuara dhe të strukturuara që qeveria e Serbisë mbështet drejtpërdrejt ose tërthorazi, për të ndikuar politikën amerikane ndaj çështjeve rajonale në të cilat Serbia ka interes, përfshirë Kosovën dhe dialogun me BE-në.
Emërimi i Hill shihet si një levizje strategjike nga ana e Serbisë për të përforcuar ndikimin e saj në qarqet politike të Uashingtonit, duke shfrytëzuar përvojën dhe rrjetin e një diplomati me njohje të thella për Ballkanin.