Grupi mediatik, Balkan Insight ka zbuluar se mercenarë të financuar nga Rusia kanë ngritur kampe trajnimi në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, me qëllim përgatitjen e tyre për një grusht shteti në Moldavi.
Sipas hetimit, agjencitë ruse të inteligjencës kanë rekrutuar qytetarë moldavë për këtë operacion, duke kërkuar dorëzimin e telefonave dhe pasaportave para fillimit të trajnimeve. Programi përfshinte edhe trajnim për përdorimin e dronëve.
Një prej mercenarëve, Maksim Rosca, tha se pjesëmarrësve iu premtua pagesa prej 300 deri 500 dollarë për një kurs intensiv 10-ditor. Trajnimi u zhvillua fillimisht në Republikën Serbe të Bosnje-Hercegovinës, një entitet me shumicë serbe, dhe më pas në një fshat në Serbinë lindore.
Pagesat raportohet të jenë kryer në kriptomonedha. Seancat trajnuese janë mbajtur gjatë periudhës 1-16 gusht dhe 22 gusht – 11 tetor 2024.
Qëllimi i këtij operacioni ishte të dëmtonte zgjedhjet presidenciale në Moldavi në vjeshtën e vitit 2024. Autoritetet e Bosnjës mohojnë ekzistencën e kampeve në territorin e tyre, por një hetim është nisur.

Në Serbi, policia gjeti mbetje të kampit, përfshirë letra të djegura, gjurmë të mushamasë së djegur, si dhe pajisje si dronë, syze mbrojtëse, komunikim satelitor Starlink dhe lëngje të ndezshme. Autoritetet serbe nuk kanë komentuar ende.
Instruktorët e trajnimit dyshohet të jenë të lidhur me kompaninë ushtarake private ruse Wagner PMC dhe persona të sanksionuar nga Bashkimi Evropian.