Gjykata e Lartë në Beograd i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, shtetasit të Kosovës, Lulzim Halili, i cili u arrestua në Serbi më 22 korrik.
Sipas autoriteteve serbe, ai dyshohet për krime lufte.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) tha më 23 korrik se ka informuar delegacionin e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të QUINT-it në Serbi lidhur me këtë rast.
MPJD tha se nuk është informuar zyrtarisht nga Serbia për arrestimin e Halilit.
“Sapo të konfirmohet nëse z. Halili do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit dhe do të iniciohet procedurë penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes”, tha MPJD më 23 korrik.
Nga OVL e UÇK-së kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se emri i Lulzim Halilit nuk është gjetur në arkivat e veteranëve të luftës e as në listat e disa brigadave të UÇK-së.
Mediat në Serbi kanë raportuar se Halili dyshohet për krime lufte kundër njerëzimit. Ai pretendohet se ka qenë i UÇK-së dhe ka vepruar në rajonet e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës, si dhe pretendohet se ka marrë pjesë në një sulm ndaj një posti ushtarak jugosllav në Koshare.
“Në fakt, as nuk ka status të veteranit luftëtar, as status të veteranit pjesëtar, as nuk ka status të veteranit pjesëmarrës”, tha për Radion Evropa e Lirë nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla.
Syla tha se emri i Halilit nuk është gjetur as në arkivat e brigadës 138 Agim Ramadani, që ka operuar në Koshare.
Syla ka ngritur dyshime se arrestimi i tij mund të ketë ndodhur në shenjë “hakmarrje për për atë që ndodhi me përfaqësuesin e Zyrës së Kosovës në Serbi, siç i thonë ata, i cili u arrestua pas deklarimeve të tij në Rahovec”.
Ai iu referua arrestimit të Igor Popoviqit, ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Popoviq u arrestua më 18 korrik në Kosovë dhe dyshohet se ka kryer veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”.
Serbia ka kërkuar lirimin e tij dhe ka paralajmëruar për “pasoja të paparashikueshme”, ndërkaq kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin përmes Serbisë, pasi ka thënë se ka indikacione për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
Viteve të fundit, në Serbi janë arrestuar disa qytetarë të Kosovës, të cilët Beogradi pretendon se kanë kryer krime të luftës. /REL/