Takimi i planifikuar për sot ndërmjet kryetarit të Trupit Koordinues, Aleksandar Martinoviq, ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij trupi në Bujanoc, Nenad Mitroviq, dhe kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Enkel Rexhepi, ka dështuar të mbahet pasi përfaqësuesit serbë kanë refuzuar të takohen në një sallë ku ishte vendosur flamuri kombëtar shqiptar.
Kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, përmes një postimi në Facebook tha se flamuri shqiptar nuk është “kusht”, por simbol përfaqësimi dhe se ai nuk hiqet, por qëndron. Ai akuzoi Trupin Koordinues për tentativa të qëllimshme që takimi të dështojë dhe që faji të bie mbi KKSH-në.
Edhe pasi palët ranë dakord që takimi të mbahej në ambientet e KKSH-së, zyrtarët e Trupit Koordinues kërkuan që në sallë të mos kishte flamur kombëtar. “Në këto hapësira janë mbajtur takime me përfaqësues shtetërorë të Serbisë ndër vite, pa kontestuar praninë e flamurit,” shkroi Rexhepi.
Ai e cilësoi refuzimin e sotëm si “skenar të dobët për spektakël mediatik”, duke e quajtur të turpshme sjelljen e përfaqësuesve serbë. “Një shfaqje si kjo e sotmja dëshmon më së miri mosdurimin e garniturës aktuale udhëheqëse të Serbisë”, shkroi ai.
Rexhepi shtoi se gjatë takimit ishte planifikuar të diskutohej Plani Aksional 2023–2026, i miratuar nga Qeveria e Serbisë dhe ku Trupi Koordinues është ndërmjetës për zbatimin e tij. Sipas tij, ky plan duhet të trajtohet vetëm në nivele të larta shtetërore, me raportim të qartë për zbatimin deri tani.
Në përfundim, ai tha se situata e krijuar do t’u bëhet e ditur të gjitha përfaqësive diplomatike në Serbi, si dhe qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.