Senatori Graham njoftoi: “Vendosim sanksione të reja ndaj Rusisë dhe të gjithëve që e ndihmojnë, tarifat mund të shkojnë deri në 500%”

 

Senatori republikan Lindsey Graham, në një intervistë të tijën dje për mediat amerikane, njoftoi një paketë sanksionesh që SHBA-të mund t’i imponojnë Rusisë.

Graham pohon se sanksionet duhet të përfshijnë edhe importin e mallrave që deri tani ishin toleruar nga SHBA, me qëllim detyrimin e udhëheqjes politike ruse nën drejtimin e Putinit për t’u ulur në tryezën e negociatave për luftën në Ukrainë.

“Që prej muajsh Presidenti Trump është përpjekur t’i afrojë Putinit tryezën e paqes. Ai vendosi tarifa kundër vendeve që lejojnë importin e fentanilit në territorin tonë, dhe la derën hapur për Rusinë. Ato dyer së shpejti do të mbyllen,” tha Graham gjatë emisionit.

Ai shtoi se vende si Kina, India dhe Brazili blejnë naftë dhe mallra të tjerë nga Rusia, duke theksuar se “kjo është paraja që Putin e përdor për të udhëhequr luftën”. Sipas tij, paketa e sanksioneve do t’i jepte Trump mundësinë të ngarkojë tarifa deri në 500% çdo vendi që ndihmon Rusinë.

“Ne do të godasim ata që mbajnë Putinin në funksion dhe do të vendosim sanksione shtesë edhe ndaj vetë Rusisë. Ky është vërtet një goditje e fortë që Presidenti Trump ka në dispozicion për të përmbyllur këtë luftë,” përfundoi Graham.

Ky propozim vjen në një kohë kur shumica e anëtarëve të administratës së Donald Trump nuk e fshehin zhgënjimin e tyre me politikën e Vladimir Putinit, duke theksuar numrin e viktimave që prodhon politika e tij dhe refuzimin për t’u ulur në bisedime.

Kategoritë
BotaLajme