Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka ka kërkuar aktivizim të institucioneve për t’u angazhuar për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, i cili u arrestua me të hyrë në Serbi në fillim të vitit.
Dakaj ishte nisur drejt Italisë bashkë me familjarët e tij. Që nga dita kur u arrestua ai po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Beograd, sipas Selmanajt.
”Sot u bënë një muaj e pesë ditë që kur ish-luftëtari i UÇK-së, Hasan Dakaj, nga Korisha e Prizrenit, është arrestuar nga policia serbe në pikën kufitare, Merdarë, teksa po udhëtonte me vëllanë e tij drejt Italisë. Hasani më 5 janar 2014 ishte nisur drejt Italisë për të gjetur ndonjë mundësi të mirë punësimi për shkak të gjendjes të rëndë financiare të familjes së tij. Informatat e familjarëve të siguruara jo nga institucionet tona shtetërore, por nga avokati i caktuar nga gjykata e Serbisë tregojnë se ai tashmë po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Beograd dhe nga regjimi dhe autoritetet në Serbi po akuzohet kinse për krime lufte gjatë kohës së luftës në Kosovë”.
”Është e papranueshme dhe e pakuptimtë mungesa e përkushtimit maksimal të bartësve të institucioneve të Kosovës për lirimin e Hasanit. Për arrestimin e tij është folur nga institucionet tona vetëm dy ditë pas arrestimit të tij dhe pastaj askush asnjë fjalë dhe as veprim s’u ndërmor. Sot askush nga institucionet tona nuk di për fatin e tij. Ku ndodhet ai, cila është gjendja shëndetësore e tij? Kush po e mbron atë? A ka mjete financiare për angazhim të avokatit mbrojtës? Me çfarë akuzash po ngarkohet ai?”.
Selmanaj tha se edhe familja e tij, për të cilën tha se nuk është në gjendje të mirë financiare, ka mbetur pa u ndihmuar në mungesë të tij.
“Po ashtu, institucionet shtetërore dhe lokale deri tash nuk kanë treguar as kujdesin minimal për gjendjen socio-ekonomike të Hasanit, për gruan dhe tre fëmijët e tij të vegjël që jetojnë në gjendje të rëndë financiare”.
Selmanaj tha se është detyrë e Presidencës, Qeverisë, Kuvendit dhe institucioneve që “pareshtur të angazhohen dhe të jenë në kontakt me zyrat diplomatike të vendeve të fuqishme qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi për të shtuar presionin mbi shtetin e Serbisë për lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së”.
“Hasani meriton lirim për të cilin luftoi. Hasani s’guxon të harrohet”.