Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka pritur sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, ku dhe bënë të ditur se samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë më 16 tetor, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Pas takimit një orësh me kryeministrin shqiptar, Scholz në konferencë për media tha se beson që shumë shpejt Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të nënshkruajnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Scholz beson se procesi i nënshkrimit të propozimit të BE-së do të përfundojë me sukses shumë shpejt.
“Mendoj që janë bërë përparime të mëdha. Po të shikosh edhe deklarimet publike të Kurtit dhe Vuçiqit mund të vërehet që janë bërë përparime të mëdha. Ky është një plan që mund të zbatohet dhe duhet të realizohet. Ndjesia ime është që tani mund të bëhet realitet ajo që është dukur e pamundur deri më tani”, tha Scholz para gazetarëve.
Se propozimi evropian mbështetet nga Shqipëria, e tha në këtë konferencë kryeministri shqiptar, Edi Rama.
“Shqipëria, qeveria jonë, unë personalisht e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, është një plan shumë përmbajtësor dhe realist”, tha Rama./Reporteri.net/














