– Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se ata po presin propozim nga Ukraina në lidhje me datën e raundit të tretë të negociatave.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se ata po presin propozim nga Ukraina në lidhje me datën e raundit të tretë të negociatave, transmeton Anadolu.
“Presim propozim nga Ukraina në lidhje me datën e negociatave. Shpresojmë që data të caktohet. Do t’iu informojmë kur të caktohet”, tha ai.
Peskov shtoi se i kushtojnë rëndësi iniciativave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe ekipit të tij lidhur me procesin e negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës.
– “Dërgesat e armëve në Ukrainë janë të papajtueshme me përpjekjet për zgjidhje paqësore”
Lidhur me dërgesat e armëve nga SHBA-ja në Ukrainë, Peskov tha se nuk ka informacion nëse dërgesat e armëve janë ndërprerë apo janë ndaluar. “Janë dhënë deklarata kontradiktore për këtë çështje. Dërgesat po vazhdojnë. Evropianët po marrin rol aktiv në dërgesat e armëve në Ukrainë. Këto veprime janë të papajtueshme me përpjekjet për të promovuar zgjidhje paqësore. Në këtë rast, evropianët vazhdojnë linjën e tyre të vazhdimit të konfliktit”, tha ai.
Duke iu referuar marrëdhënieve midis Rusisë dhe SHBA-së, Peskov tha: “Ekziston potencial i madh për ringjalljen e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike midis vendeve tona dhe zbatimin e projekteve të shumta në fushën e ekonomisë. Ka nevojë për këto projekte. Këto mund të sjellin fitime të mëdha për biznesmenët e të dy vendeve”.
Zëdhënësi i Kremlinit tërhoqi vëmendjen në faktin se SHBA-ja vazhdon të vendos sanksione ndaj Rusisë dhe se këto janë të paligjshme dhe dëmtojnë biznesmenët e të dy vendeve.
Sa i përket mundësisë së sanksioneve të reja evropiane kundër Rusisë, Peskov tha se ata kanë marrë masat e nevojshme për të zvogëluar ndikimin e tyre. Ai vuri në dukje se presidenti rus Vladimir Putin është informuar për vdekjen e ministrit të Transportit, Roman Starovoyt, i shkarkuar më parë.