Qindra profile anonime në platformën e videove TikTok janë bërë gjithnjë e më aktive në përhapjen e narrativave pro-ruse dhe mbështetjes së partive radikale para zgjedhjeve në Republikën Çeke më 3 dhe 4 tetor, njoftoi një organizatë joqeveritare.
Online Risk Labs, një grup i ri analistësh çekë, tha se ka identifikuar 286 llogari TikTok që e forcojnë ndërsjellë përmbajtjen. Së bashku ata gjenerojnë nga 5 deri në 9 milionë shikime në javë – më shumë sesa arrin audienca totale e liderëve të partive kryesore, tha grupi.
“Llogaritë nuk përputhen me një parti të vetme politike, por tregojnë mbështetje për disa parti radikale dhe ekstremiste njëkohësisht,” thuhet në deklaratë.
Pothuajse një e katërta e çekëve përdorin TikTok, sipas raporteve të mediave lokale, çka është një përqindje më e ulët sesa në Rumani, ku zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar u anuluan për shkak të akuzave për ndërhyrje ruse përmes llogarive në këtë platformë. Rusia i ka mohuar akuzat.
Rregullatori çek i telekomunikacionit CTU tha se ka pranuar disa ankesa në lidhje me qindra llogari në TikTok.
“I kemi konsideruar këto vërejtje si të rëndësishme dhe i kemi përcjellë Komisionit Evropian si organ mbikëqyrës për platformat e mëdha,” tha CTU për Reuters, duke shtuar se është në kontakt me TikTok-un.
Llogaritë e TikTok-ut të identifikuara nga Online Risk Labs shprehnin mbështetje për parti si e djathta ekstreme SPD, e cila është e treta në shumicën e sondazheve me rreth 13% mbështetje, dhe e majta ekstreme Stacilo!, e cila sipas sondazheve kalon pragun prej 5% për të marrë mandate, tha grupi. Të dyja partitë thonë se vendi duhet të largohet nga NATO dhe Bashkimi Evropian.
Online Risk Labs theksoi se kandidatët e promovuar në postime nuk ishin domosdoshmërisht të vetëdijshëm për këtë.
Sondazhet më të fundit para zgjedhjeve parlamentare tregojnë se partia opozitare ANO e ish-kryeministrit Andrej Babiš prin me diferencë të madhe ndaj SPOLU, koalicionit qendër-djathtas të kryeministrit Petr Fiala. ANO mund të ketë nevojë për mbështetjen e SPD-së dhe Stacilo!-s për të formuar shumicën.