Rusia në probleme të mëdha: Treni i shkatërruar nga ukrainasit bllokon furnizimin e ushtrisë

Një tren që transportonte naftë për forcat ruse në rajonet Herson dhe Zaporizhia është shkatërruar në territorin e pushtuar të Ukrainës nga sulmet e dronëve FPV ukrainas, dhe mbetet ende i bllokuar në vend, duke rrezikuar zinxhirin e furnizimit të ushtrisë ruse.

Sipas imazheve satelitore, aktualisht linja e vetme hekurudhore për furnizimin e trupave ruse në jug është e bllokuar nga mbetjet e kompozicionit të trenit të shkatërruar para shtatë ditësh.

Inxhinierët rusë prej ditësh po përpiqen të largojnë mbetjet e lokomotivës dhe vagoneve, por dëmtimi i rëndë i shinatave, të deformuara nga temperaturat e larta të shkaktuara nga zjarret e cisternave me naftë, po e bën të vështirë rikthimin e qarkullimit.

Kjo linjë hekurudhore konsiderohet “arteria jetike” për ushtrinë ruse, ndërsa rruga alternative përmes gadishullit të Krimesë nuk arrin të mbulojë sasinë e nevojshme të materialeve luftarake. Për më tepër, sabotazhet dhe sulmet e shpeshta ndaj urës së Kerçit, që lidh Rusinë me Krimenë, shpesh çojnë në mbylljen e saj të përkohshme.

Aktualisht, forcat ruse në jug – në Zaporizhia dhe Herson – nuk po ndërmarrin operacione të mëdha ofensive. Megjithatë, sipas mediave ukrainase, Moska nuk ka hequr dorë nga objektivi për të rimarrë qytetin e Hersonit dhe bregun e djathtë të lumit Dnieper.

Kategoritë
BotaLajme