Zakharova mohoi raportet që qarkullonin në mediat amerikane se shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, kishte një takim me ish-zyrtarë amerikanë për të krijuar një kanal komunikimi joformal
Rusia ka hedhur poshtë raportet e mediave që pretendonin se Moska dhe Washingtoni në muajin prill zhvilluan bisedime sekrete mbi Ukrainën, transmeton Anadolu.
Duke folur për kanalin televiziv rus ‘Pervy TV’, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, mohoi raportet që qarkullonin në mediat amerikane se shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov, kishte një takim me ish-zyrtarë amerikanë për të krijuar një kanal komunikimi joformal.
Ajo tha se këto raporte “të rreme” janë përhapur “qëllimisht” për të mbjellë përçarje në shoqërinë ruse, duke shtuar se informacione të tilla do të vazhdojnë të shfaqen në të ardhmen.
“Kjo temë do të jetë vazhdimisht ‘mbi ujë’, pikërisht për të na tronditur, duke përfshirë edhe nga brenda, për të mbjellë dyshime për atë që po flasim, për të thënë ose treguar se ‘(megjithëse SHBA-ja) po furnizon me armë (Ukrainën), dyshohet se Rusia ende është e gatshme të zhvillojë një lloj negociatash gjysmë ligjore me ta, edhe në kushte të tilla’. Kjo nuk është e vërtetë”, theksoi Zakharova.
Ajo tha se një diskutim që u zhvillua midis ministrit Lavrov dhe një grupi ish-zyrtarësh amerikanë në margjinat e vizitës së tij në OKB në muajin prill, paraqitet si “bisedime sekrete mbi Ukrainën”.
Sipas saj, biseda e këtij takimi u fokusua në situatën aktuale në çështjet globale, ndërsa çështja e Ukrainës nuk u trajtua në këtë takim.
