Rusia importon një milion punëtorë nga India, pasi shumica e fuqisë punëtore është angazhuar në frontin e Ukrainës

Për shkak të luftës në Ukrainë, kompanitë ruse kanë mbetur pa fuqi punëtore, gjë që do të kompensohet me importin e një milioni punëtorëve nga India, sipas planit të Dhomës së Tregtisë së Uraleve. Dhomë Tregtare e Industrisë e Uraleve përfaqëson një forum kryesor biznesi me më shumë se 800 kompani ruse. Drejtori i dhomës, Andrej Besedin, pretendon se mungesa e fuqisë punëtore në Rusi do të plotësohet me importin e së paku një milioni punëtorëve nga India.

“Janë arritur marrëveshje, veçanërisht me Indinë. Sipas asaj që kam dëgjuar nga kolegët e mi indianë, deri në fund të vitit në Rusi, përfshirë edhe rajonin e Sverdlovskut, do të vijnë një milion punëtorë nga India,” tha Besedin.

Rusia kishte importuar më parë punëtorë nga Afrika, dhe për këto nevoja në Jekaterinburg do të hapet një konsullatë e re indiane për të përshpejtuar ardhjen e fuqisë punëtore.

Besedin shtoi se këta punëtorë do të ndihmojnë në zgjidhjen e mungesës së stafit në ndërmarrjet metalurgjike dhe të industrisë makinerike në rajonin e Sverdlovskut.

Rajoni i Sverdlovskut është një nga më të industrializuarit në Rusi, me sektorë veçanërisht të fortë të metalurgjisë dhe industrisë makinerike. Industria makinerike përfshin prodhimin e pajisjeve minerare, trenave, turbinave dhe sistemeve energjetike, dhe qendrat kryesore janë Jekaterinburgu dhe Nizhni Tagili.

Kompleksi ushtaro-industrial ka një rëndësi të veçantë, veçanërisht në Nizhni Tagil, ku ndodhet Uralvagonzavod, prodhuesi më i madh i tankeve në Rusi.

Kategoritë
BotaLajme