Ukraina tha se kishte marrë trupat e 1,200 ushtarëve ukrainas të vrarë në luftën me Rusinë, si pjesë e marrëveshjeve për shkëmbimin e të burgosurve të luftës dhe të të vdekurve.
“Sipas palës ruse, trupat u përkasin qytetarëve ukrainas, përfshirë personelin ushtarak”, tha komiteti i koordinimit të shkëmbimit të të burgosurve, duke shtuar se ekspertët do të kryejnë teste identifikimi.
Komiteti publikoi fotografi të njerëzve me kostume të bardha mbrojtëse me një logo të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në një vend të pazbuluar, duke qëndruar dhe duke ecur pranë vagonëve të trenit, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, më herët këtë javë, Ukraina riatdhesoi edhe 1,212 trupa të ushtarëve të saj të vrarë në luftë, e cila filloi në shkurt 2022
Kievi dhe Moska kanë rënë dakord të dorëzojnë secili deri në 6,000 trupa dhe të shkëmbejnë të burgosur lufte të sëmurë dhe të plagosur rëndë dhe ata nën moshën 25 vjeç.
Ukraina dhe Rusia kanë kryer tre shkëmbime të të burgosurve të luftës këtë javë, por nuk kanë zbuluar numrin e saktë.