Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë ushtarët e sëmurë rëndë dhe të plagosur

– Rusia dhe Ukraina realizuan shkëmbimin e ushtarëve të burgosur që janë të sëmurë rëndë dhe të plagosur, në përputhje me marrëveshjet e arritura në bisedimet e organizuara nga Turqia në fillim të këtij muaji në Stamboll

Rusia dhe Ukraina kanë kryer shkëmbimin e ushtarëve të burgosur që janë të sëmurë rëndë dhe të plagosur, në përputhje me marrëveshjet e arritura në bisedimet e organizuara nga Turqia në fillim të këtij muaji në Stamboll, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Ministria ruse e Mbrojtjes thuhet se Kievi sipas marrëveshjeve të arritura midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll më 2 qershor, ka kthyer një grup të ushtarëve të burgosur rusë.

Në këmbim, Kievit i janë dorëzuar një grup ushtarësh të burgosur, anëtarë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, bëhet e ditur në deklaratën e cila vuri në dukje se ushtarët rusë ndodhen aktualisht në tokën bjelloruse dhe po marrin ndihmë mjekësore dhe psikologjike.

Të gjithë ushtarët rusë do të dërgohen në Rusi për trajtim dhe rehabilitim në institucionet mjekësore të ministrisë.

Ministria nuk dha informacione mbi numrin e ushtarëve të përfshirë në shkëmbimin e të burgosurve.

– Zelenskyy dha informacione mbi shkëmbimin e të burgosurve

Në një deklaratë në llogarinë e tij në Telegram, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ata kanë kryer një shkëmbim të burgosurish me Rusinë.

Ai tha se faza e dytë e shkëmbimit të ushtarëve të plagosur rëndë dhe të sëmurë u zhvillua sot. “Sot ushtarët e ushtrisë sonë, rojet kombëtare dhe rojet kufitare u kthyen në shtëpi. Të gjithë kanë nevojë për trajtim dhe patjetër do t’u ofrohet ndihma e nevojshme”, theksoi Zelenskyy.

Presidenti ukrainas tha se do të vazhdojnë të punojnë për të rikthyer të gjithë robërit.

Si rezultat i negociatave të mbajtura në Stamboll më 2 qershor, nën organizimin e Turqisë, Rusia dhe Ukraina arritën marrëveshje për dorëzimin e trupave të 6.000 ushtarëve ukrainas, shkëmbimin e ushtarëve të sëmurë rëndë dhe të plagosur dhe ushtarëve të kapur nën moshën 25-vjeç.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, një shkëmbim i të burgosurve të ushtarëve të sëmurë rëndë dhe të plagosur nën moshën 25-vjeç u realizua midis Rusisë dhe Ukrainës më 9 dhe 10 qershor.

Ukraina njoftoi dje se trupat e 1.212 ushtarëve ukrainas që kanë humbur jetën në luftë iu dorëzuan nga Rusia. Edhe Rusia në këmbim njoftoi kthimin e trupave të 27 ushtarëve, anëtarë të Forcave të Armatosura Ruse.

Kategoritë
BotaLajme