Rusët në paranojë në lidhje me stërvitjet e NATO-s në Moldavi, Kremlini përmendin “Ukrainën e re”

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ka komentuar situatën në Moldavi dhe i është bashkuar narrativës së politikanëve pro-rusë në këtë vend, duke pretenduar se NATO po planifikon “okupimin” e Moldavisë.

Në një intervistë për agjencinë ruse TASS, Zaharova tha se NATO po e përgatit Moldavinë për rolin e një shteti në vijën e parë të frontit.

“Gjatë vitit 2024 janë mbajtur 30 ushtrime të përbashkëta ku kanë marrë pjesë trupa moldave dhe të NATO-s. Kishinau po forcon bashkëpunimin me shtetet anëtare të NATO-s dhe ushtrimet e përbashkëta ushtarake kanë për qëllim ta dëshmojnë këtë,” deklaroi Zaharova.

Ajo përsëriti se kjo përbën një shembull të militarizimit të Moldavisë, nga i cili do të përfitonte NATO, raportojnë mediat.

“Pse ndodh e gjithë kjo? Moldavia po përgatitet të bëhet një tjetër Ukrainë”, tha Zaharova.

Ndërkohë, për bashkëpunimin ndërmjet NATO-s dhe Moldavisë janë shprehur më parë edhe zyrtarë nga rajoni separatist moldav i Transnistrisë. Një nga anëtarët e parlamentit, Andrej Safonov, deklaroi se NATO synon okupimin e Moldavisë me ndihmën e Rumanisë.

“Futja e trupave rumune dhe të NATO-s në Moldavi do të përfundojë të gjitha negociatat për zgjidhjen e konfliktit moldavo-transnistrian, pasi kjo do të nënkuptojë de facto luftë mes NATO-s dhe Rusisë, trupat e së cilës janë të stacionuara në tokën transnistriane. Prandaj, le të mbetet ish-RSS-ja Moldave një territor paqeje. Një alternativë ushtarake do t’u sjellë vetëm dhimbje të gjithëve,” theksoi Safonov.

Transnistria është një rajon separatist në lindje të Moldavisë, përgjatë lumit Dniester, që kufizohet me Ukrainën.

Shpalli pavarësi në vitin 1990, por nuk njihet ndërkombëtarisht. Që nga lufta e vitit 1992, funksionon de facto si shtet i pavarur me mbështetje nga Rusia, e cila ka trupa ushtarake atje. Zona është një pikë tensioni mes Moldavisë, Rusisë dhe Perëndimit.

Kategoritë
BotaLajme