“Ndjejmë se i kemi kushtuar shumë kohë dhe energji kësaj çështje, por thjesht nuk është bërë përparimi i duhur”, tha Rubio pas bisedimeve me homologun e tij rus Lavrov
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka shprehur frustrim me nivelin e progresit në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës që synojnë t’i japin fund luftës së tyre që vazhdon që nga shkurti i vitit 2022, transmeton Anadolu.
“Ndjejmë se i kemi kushtuar shumë kohë dhe energji kësaj çështje, por thjesht nuk është bërë përparimi i duhur”, tha Rubio pas bisedimeve me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, në kuadër të takimit të 58-të të ministrave të jashtëm të ASEAN-it në Kuala Lumpur.
Ai theksoi se SHBA-ja dëshiron të “shohë një plan të qartë për të ecur përpara” dhe se ai dhe Lavrov “shkëmbyen disa ide se si mund të duket një gjë e tillë.”
Rubio e pranoi kompleksitetin e negociatave, duke theksuar se SHBA-ja mban pritshmëri për avancim.
“E kuptojmë që këto gjëra kërkojnë kohë dhe durim, por është e qartë se jemi gjithashtu të zhgënjyer që nuk është bërë më shumë përparim.”, tha ai.
Sekretari amerikan shprehu shpresën se ky takim do të ndihmojë në qartësimin e qëndrimeve dhe prioriteteve ruse, gjë që mund të mundësojë përparim në të ardhmen.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar t’i japë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në janar. Javën e kaluar, ai zhvilloi një telefonatë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, por tha se nuk pati përparim drejt një armëpushimi.