Ruben Amorim i thotë yllit të Man Utd që të gjejë një klub të ri

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, raportohet se i ka thënë një lojtari kyç që të gjejë një klub të ri.

40-vjeçari e pa ekipin e tij duke humbur me rezultat 1-0 ndaj Tottenhamit në finale të Ligës së Evropës, me disa lojtarë të rëndësishëm që nuk ia dolën të kenë ndonjë ndikim pozitiv në atë sfidë.

Pas humbjes, Alejandro Garnacho i cili u fut në fushë në pjesën e dytë, foli për faktin që nuk luajti si titullar.

“Natyrisht, është e vështirë për të gjithë. Ne nuk e mposhtëm askënd në kampionat. Na munguan shumë gjëra. Kur nuk shënoni gola, ju gjithmonë keni nevojë për më shumë”.

“Deri sa arritëm në finale, unë kam luajtur në çdo raund. Dhe sot kam luajtur 20 minuta, nuk e di. Do të mundohem ta shijoj verën dhe pastaj të shohim çfarë do të ndodhë”, kishte thënë Garnacho.

Pasditen e së shtunës, gazetari David Ornstein dha një përditësim të madh për të ardhmen e lojtarit.

“Ruben Amorim e ka informuar ekipin e tij të Manchester United se ai do të mbetet në krye sezonin e ardhshëm, teksa i ka thënë Alejandro Garnachos të gjejë një klub të ri”, ka thënë Ornstein.

Amorim thuhet se ka adresuar të ardhmen e lojtarëve të tij në qendrën stërvitore të United, Carrington, duke i informuar ata për planet e tij.

Kategoritë
LajmeSport