Rusia po punëson fermerë afrikanë për të prodhuar shampo, por më pas i mashtron dhe i dërgon në luftën kundër Ukrainës. Disa prej tyre vriten në front, të tjerë kapen rob.
Një ofertë pune në një fabrikë shamposh në Rusi dukej si mundësia ideale për Jean Onanin. I papunë në kryeqytetin e Kamerunit, Yaoundé, dhe me një grua e tre fëmijë për të mbajtur, ai e pranoi me entuziazëm ofertën për një pagë të mirë – siç u shpreh më vonë për hetuesit ukrainas.
36-vjeçari mblodhi paratë për një biletë avioni dhe në mars udhëtoi drejt Moskës, duke iu bashkuar shumë të rinjve afrikanë që vijnë në Rusi për punë ose studime. Por në vend që të zgjidhte problemet financiare, udhëtimi e çoi drejt frontit lindor në Ukrainë – një përvojë nga e cila mezi shpëtoi gjallë.
Menjëherë pas mbërritjes, ai u arrestua së bashku me dhjetë persona të tjerë nga Bangladeshi, Kameruni, Zimbabve dhe Gana. U tha se nuk do të punonin në fabrikë, por do të firmosnin kontrata njëvjeçare për t’u bashkuar me ushtrinë ruse në vijën e parë të frontit.
Onana është vetëm një nga qindra, ndoshta mijëra afrikanë, që janë gjetur në llogore në vijat e luftës. Shumë të tjerë janë rekrutuar për të punuar në fabrika që e mbajnë në funksion makinerinë luftarake ruse.
Afrikanët dhe të tjerë nga vendet në zhvillim po detyrohen të shërbejnë ushtarakisht pasi Rusia po përballet me mungesë të madhe të forcave për të zëvendësuar humbjet e mëdha gjatë fushatës trevjeçare.
Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare nga SHBA raportoi se pothuajse një milion ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i pushtimit. Dhe ndërsa shumica e rekrutëve janë ende rusë të varfër, kërkesa e madhe për forca të reja e ka detyruar Kremlinin të kërkojë ushtarë edhe jashtë vendit – përfshirë rreth 10.000 nga Koreja e Veriut.
Sipas dëshmive dhe raporteve të inteligjencës të siguruara nga The Telegraph, afrikanët rekrutohen me premtime për paga të larta, mashtrohen apo detyrohen të firmosin kontrata ushtarake.
Taktika vetëvrasëse këmbësorie
Qeveria e Kamerunit është aq e shqetësuar nga numri i ushtarëve që dezertojnë për t’u bashkuar me rusët, saqë në mars ashpërsoi kufizimet për personelin ushtarak që dëshiron të lërë vendin.
Shumë afrikanë nuk janë kthyer kurrë – janë bërë viktima të taktikave vetëvrasëse që përdor Rusia, duke humbur mbi 1.100 ushtarë në ditë për përfitime territoriale minimale.
Sipas rrjeteve sociale kamerunase, mbi 60 burra nga Kameruni janë vrarë në këtë luftë. Onana, nën presion dhe me premtimin e një page të lartë, pranoi dhe kaloi pesë javë trajnim në Rostov dhe Luhansk. Në njësinë e tij kishte të huaj edhe nga Bangladeshi, Zimbabve dhe Brazili.
Gjatë trajnimit kishte kontakt me familjen, por në rrugën për në front, iu morën telefoni dhe dokumentet.
Karriera e tij ushtarake përfundoi menjëherë – ai dhe tetë të tjerë u dërguan në një bunker në vijën e parë në fillim të majit. Bunkeri u godit nga artileria dhe të gjithë vdiqën, përveç Onanës, i cili i plagosur qëndroi gjashtë ditë në rrënoja. Më pas u kap rob nga forcat ukrainase.
Historia e Malik Diop
Një tjetër afrikan i kapur rishtazi, Malik Diop (25) nga Senegali, i tha ushtrisë ukrainase se ishte student në Rusi kur u kontaktua nga rekrutues në një qendër tregtare. I ishte premtuar një punë si larës enësh në Luhansk, për një pagë mujore prej 5.700 dollarësh.
Por brenda një jave i dhanë pushkë, granata dhe helmetë, dhe e dërguan në front afër Toretskut.
“Në rrugë për në front pamë shumë kufoma në pyll, në ndërtesa. Ishte tronditëse,” tha ai. Sapo mundi, hodhi armët dhe uniformën dhe dezertoi. Pas dy ditësh ecje u kap. Jo të gjithë kanë këtë fat.
Në rrjetet sociale kamerunase janë shtuar mesazhet që kërkojnë informacione për të afërm të zhdukur në Rusi – shpesh të shoqëruara me fotografi me uniforma ruse.
“Miku im shkoi në Rusi për t’iu bashkuar ushtrisë, por prej katër muajsh nuk kemi dëgjuar asgjë,” thuhet në një postim. “Duam të dimë nëse është gjallë apo i vdekur.”
Disa postime më vonë konfirmojnë se personi është vrarë. Një faqe popullore që publikon homazhe për ushtarët e rënë përllogarit se 67 kamerunas janë vrarë. Janë shfaqur edhe raste të të afërmve që janë ndaluar në aeroport dhe detyruar të nënshkruajnë kontrata ushtarake.
Problemet në Kamerun
Hendeku mes pagave mizerable të ushtrisë kamerunase dhe pagave të premtuara nga Rusia e ka përkeqësuar fenomenin e dezertimit.
Një ushtar i thjeshtë kamerunas fiton rreth 86 dollarë në muaj, ndërsa Rusia u ofron rreth 2.000 dollarë në muaj.
Në një video të fundit, një ushtar kamerunas tregon fletëpagesën e tij dhe thotë:
“Prandaj më mirë shkojmë të vdesim në Rusi.”
Raoul Sumo Tayo, studiues i këtij fenomeni në Institutin për Studime të Sigurisë në Pretoria, thotë:
“Ata thonë se është më mirë të shkojnë të luftojnë ku mund të fitojnë diçka për familjet. Nuk e bëjnë për Rusinë – e bëjnë për paratë.”
Rekrutët afrikanë në Rusi nuk janë të angazhuar vetëm në front.
Muajin e kaluar, një raport i Global Initiative Against Transnational Organized Crime zbuloi se një kompani ruse po rekruton qindra vajza të reja të huaja, kryesisht nga Afrika, për të prodhuar dronë Shahed në kompleksin industrial Alabuga, afër Moskës.
Ato u mashtruan me premtime për paga të mira dhe mundësi arsimore – pa u thënë që fabrika ishte objektiv ushtarak. Disa punëtore afrikane u plagosën në një sulm me dronë ukrainas në prill 2024.