Rritja e numrit të lypësarëve po dëmton imazhin e Prizrenit – Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve kërkon ndërhyrje urgjente

Prizreni, një ndër qytetet më të bukura dhe historike të Ballkanit, po përballet me një shqetësim të madh që po ndikon drejtpërdrejt në imazhin e tij si destinacion turistik: rritja e numrit të lypësarëve në hapësirat publike.

Në një reagim publik, Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve të Prizrenit ka ngritur alarmin për përhapjen e këtij fenomeni, veçanërisht në zonat më të frekuentuara nga turistët, siç janë Shatërvani, Bazhdarhaneja, semaforët dhe qendrat tregtare.

“Lëvizja e organizuar dhe prezenca e vazhdueshme e lypësarëve në këto zona po dëmton rëndë rendin publik dhe po krijon probleme serioze sociale,” ka deklaruar Afrim Tejeci, kryetar i Odës dhe njëherazi përfaqësues i bizneseve në KKSB.

Ai thekson se mikpritja dhe trashëgimia kulturore që e kanë bërë Prizrenin të veçantë janë në rrezik të humbasin vlerën për shkak të kësaj situate, e cila po shqetëson qytetarët, afaristët dhe mysafirët e shumtë të qytetit.

Oda ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet komunale dhe autoritetet përkatëse, duke theksuar gatishmërinë për të ofruar kontribut në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete dhe të qëndrueshme.

“Presim masa efektive dhe ligjore nga institucionet, në mënyrë që të ruhet imazhi i qytetit dhe të krijohet një ambient i qetë dhe i denjë për banorët dhe vizitorët,” ka përfunduar Tejeci.

Kategoritë
LajmeVendi