Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në fillim të shtatorit paralajmëroi rishikim të tarifave të energjisë elektrike, duke mos e bërë të qartë nëse do të ketë ngritje apo ulje të çmimit të rrymës.
Si rrjedhojë e kësaj, komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësim të madh për ndikimin që një vendim i tillë mund të ketë në ekonomi, e sidomos tek bizneset që kanë kaluar në tregun e hapur energjetik.
Lidhur me këtë shqetësim të bizneseve, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë për Telegrafin se bizneset tashmë po përballen me pasiguri të madhe për shkak të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e hapur, pa konsultim paraprak me ta.
“Ne si Odë kemi ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme ligjore dhe demokratike për ta shprehur pakënaqësinë tonë me vendimin e dhunshëm të ZRRE-së për të dalë në treg të hapur, pa asnjë konsultim me bizneset, pra për fazën e tranzicionit”, deklaroi Rafuna.
Ai paralajmëroi se periudha e dimrit tradicionalisht sjell rritje të çmimeve të energjisë, gjë që mund të rëndojë më tej gjendjen financiare të ndërmarrjeve.
“Historia e viteve të kaluara na ka treguar se gjatë muajve tetor deri në mars çmimi i energjisë rritet, jo vetëm në Kosovë, por edhe në bursat ndërkombëtare. Gjithashtu, gjatë këtyre muajve edhe konsumi është më i madh”, shtoi ai.
Rafuna bëri të ditur se Oda Ekonomike ka ngritur padi në Gjykatën Supreme dhe më 5 nëntor 2025 pritet të mbahet seanca gjyqësore me ZRRE-në.
“Më datë 5 nëntor 2025 do të kemi ballafaqimin në seancë gjyqësore me ZRRE-në dhe presim që kolegji i Gjykatës Supreme të vendosë në favor të bizneseve. Kjo për momentin është mundësia e vetme ligjore”, tha Rafuna, duke shtuar se “po të kishim pasur Parlament funksional, situata me siguri do të ishte ndryshe”.
Në anën tjetër, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Kushtrim Ahmeti, tha për Telegrafin se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me padinë që kjo dhomë ka ngritur kundër ZRRE-së, për shkak të shkeljeve në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.
“Paralajmërimin e kemi parë, diçka zyrtare deri më tani nuk ka. Ne ende jemi në pritje të një vendimi nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me padinë që e kemi ushtruar kundër ZRRE-së, sa i përket shkeljeve të bëra në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike”, deklaroi Ahmeti.
Ai kujtoi se rritja e çmimit të energjisë prej 16.1% që hyri në fuqi më herët këtë vit tashmë ka ndikuar negativisht në ekonomi.
“Vetëm rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët e rregulluar prej 16.1% dhe liberalizimi i tregut tashmë po i tregojnë pasojat negative për bizneset, ekonominë dhe qytetarët. Një rritje e re e çmimit vetëm sa do ta bëjë edhe më të vështirë të bërit biznes në vendin tonë dhe do ta ngarkojë edhe më shumë jetën e qytetarëve”, theksoi Ahmeti.
Sipas tij, Dhoma e Tregtisë mbetet kategorikisht kundër çdo rritjeje të re të çmimit të energjisë.
“Ashtu siç kemi qenë kundër rritjes prej 16.1% dhe procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, edhe për këtë jemi kundër. Për veprimet tona të mëtejshme do t’ju njoftojmë”, shtoi ai.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me përfaqësuesit e ZRRE-së për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me këto shqetësime, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.
Kujtojmë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë hyri në fuqi më 1 qershor, me gjithë kundërshtimet nga bizneset.
Ky vendim ka prekur 1.300 kompani të mëdha, të cilat kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor prej mbi 10 milionë euro.
Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. /Telegrafi/



















