Një anije që mbante migrantë të parregullt u përmbys në brigjet e provincës Abyan në jug të Jemenit më 3 gusht
Është rritur në 92 numri i viktimave pasi një varkë që transportonte migrantë të parregullt u përmbys më 3 gusht në brigjet e provincës Abyan në jug të Jemenit, raporton Anadolu.
Drejtori i përgjithshëm i shëndetit publik të Abyan, Abdulkadir Bacemil bëri një deklaratë për gazetarin e AA-së në lidhje me katastrofën e anijes. Ai tha se numri i të vdekurve në aksident është rritur në 92.
“Shumica e trupave u gjetën përgjatë vijës bregdetare që shtrihet nga qyteti i Zinjibarit deri në qytezën Ahwar, afërsisht 120 kilometra në lindje”, theksoi Bacemil i cili shtoi se kërkimi për të zhdukurit është duke vazhduar.
Më herët, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e OKB-së kishte njoftuar për 56 të vdekur pasi një anije që mbante migrantë të parregullt u përmbys në brigjet e provincës Abyan në jug të Jemenit.
“Jemi thellësisht të trishtuar nga humbja tragjike e jetëve që ndodhi më 3 gusht kur një anije që mbante 200 migrantë u përmbys në brigjet e Shukra në provincën Abyan të Jemenit. Të paktën 56 persona, përfshirë 14 gra, njoftohet të kenë vdekur, dhe besohet që shumica e viktimave të jenë shtetas etiopianë. Numri i përgjithshëm i personave të zhdukur ka arritur në 132. Deri më tani, janë shpëtuar 12 persona, të gjithë burra” thuhej në deklaratë.
Jemeni konsiderohet një pikë tranziti për migrantët e parregullt nga vendet e Bririt të Afrikës, veçanërisht Etiopia dhe Somalia. Shumica e migrantëve të parregullt afrikanë kalojnë në Jemen përmes Xhibutit, duke shpresuar të arrijnë në vendet e Gjirit, veçanërisht Arabinë Saudite.