Të paktën 172 persona rezultojnë ende të zhdukur, prej të cilëve 161 vetëm në Qarkun Kerr
Numri i të vdekurve nga përmbytjet e shpejta që përfshinë shtetin amerikan të Teksasit është rritur në 119 të mërkurën, transmeton Anadolu.
Qarku Kerr ka regjistruar 95 vdekje për shkak të përmbytjeve, përfshirë 59 të rritur dhe 36 fëmijë, tha Zyra e Sherifit të Qarkut Kerr në Facebook.
Përveç vdekjeve të konfirmuara, pesë fëmijë dhe një këshilltar nga Camp Mystic, një kamp i krishterë vajzash pranë Huntit në perëndim të Qarkut Kerr, mbeten të zhdukur, sipas zyrës së sherifit.
Të hënën, kampi veror i krishterë njoftoi se 27 kampistë dhe këshilltarë kishin vdekur nga përmbytja.
Vdekje të tjera u raportuan në disa qarqe, me shtatë vdekje në Qarkun Travis, pesë në Qarkun Burnet, tetë në Qarkun Kendall, tre në Qarkun Williamson dhe një në Qarkun Tom Green, raportoi CNN.
Ndërkohë, të paktën 172 persona rezultojnë ende të zhdukur, prej të cilëve 161 vetëm në Qarkun Kerr.
Gazeta “New York Times” kishte raportuar më parë se një numër pozicionesh kyçe në Shërbimin Kombëtar të Motit janë të zbrazta për shkak të shkurtimeve buxhetore të presidentit Donald Trump që nga marrja e detyrës, duke sugjeruar se këto boshllëqe mund të kenë penguar një reagim të shpejtë ndaj emergjencës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, mohoi pretendimet se Shërbimi Kombëtar i Motit nuk ka arritur të jepte paralajmërime të mjaftueshme dhe në kohë për përmbytjet.
Përmbytjet filluan të enjten vonë dhe zgjatën deri në orët e para të së premtes, ndërsa shirat e rrëmbyeshëm përfshinë lumin Guadalupe, duke e ngritur atë në nivel prej më shumë se 39 metrash, duke tejkaluar përmbytjen e dytë më të madhe moderne të rajonit, në vitin 1987.