Rrezikojnë të mbesin pa paga, Sindikata e Punëtorëve të RTK’së paralajmëron protesta

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, ka paralajmëruar protesta e greva të lejuara me ligj, nëse nuk ka zgjidhje për ndarjen e buxhetit 6-mujor. Aktualisht RTK ka mbetur pa buxhet, dhe punëtorët rrezikojnë të mbesin pa paga.

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon ndërhyrje urgjente për të mos u dëmtuar funksionimi i RTK-së

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) njofton të gjithë punëtorët dhe opinionin publik se nga dita e premte është angazhuar intensivisht me të gjitha palët përgjegjëse, me qëllim që Radio Televizionit të Kosovës t’i shmangen vështirësitë financiare dhe të garantohet funksionimi normal i punës dhe i shërbimit publik.

Theksojmë se në muajin nëntor 2024, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, përmes Avokatit të Popullit, ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zvogëlimin për 2 milionë euro të buxhetit të RTK-së. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare për këtë rast, ndaj mbetemi në pritje të një vendimi të drejtë dhe në përputhje me ligjin.

Në rast se deri më datën 5 gusht 2025 nuk alokohet buxheti në llogarinë e RTK-së, Sindikata do të iniciojë padi për shkelje të ligjit dhe nga data 6 gusht 2025 do të fillojë me protesta dhe greva të lejuara me ligj, deri në realizimin e kërkesave të drejta të punëtorëve dhe garantimin e stabilitetit financiar të transmetuesit publik.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi