Rrezik të mbyteshin në det, policia shpëton tre pushues në Vlorë

Tre pushues që rrezikoheshin në det u shpëtuan falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare.

Policia njofton se një grua që ndodhej me kanoe rreth 1 milje larg bregut kishte kërkuar ndihmë, ndërsa dy pushues të tjerë që tentuan t’i shkonin në ndihmë me not, u gjendën edhe ata në rrezik për shkak të distancës.

“Salla e DRKM Vlorë mori njoftim se një shtetase po lundronte me kanoe, por kërkonte ndihmë pasi ndodhej rreth 1 milje larg bregut dhe kishte të pamundur kthimin. Dy pushues të tjerë kishin hyrë në det me not për t’i ardhur në ndihmë shtetases, por për shkak të distancës së largët nga bregu u rrezikuan edhe ata. Menjëherë, mjeti lundrues i Policisë Kufitare u nis drejt vendit të raportuar dhe bëri të mundur marrjen në bord të tre pushuesve. Falë reagimit në kohë të Policisë Kufitare, tre shtetasit u nxorën në breg të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, ka njoftuar policia.Tutje, thuhet se Policia Kufitare Vlorë mbetet e angazhuar 24/7 për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe fton qytetarët që në çdo rast emergjence të kontaktojnë menjëherë në numrin 112. /Telegrafi/

Kategoritë
LajmeRajoni