Rohde i shkon Kurtit në zyre, interesohet për konstituimin e Kuvendit – ai ia përmend takimet pas Aktgjykimit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Rohde është interesuar rreth konstitutimit të Kuvendit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që presin miratim.

Kurti thuhet se “numëroi përpjekjet dhe veprimet e ndërmarra” në këtë drejtim.

“Me këtë rast, kryeministri theksoi nevojën dhe rëndësinë që konstituimi i legjislaturës së nëntë të përmbyllet sa më shpejtë me zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit. Ai numëroi përpjekjet dhe veprimet e ndërmarra për konstituimin e Kuvendit duke përfshirë edhe takimin me liderët e partive politike në kuvend dhe takimin e ftuar nga presidentja e vendit, në dritën e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga ZKM’ja.

Kurti ka folur edhe për kërcënimin me bombë ndaj Kuvendit të shtunën e javës që shkoi.

“Ai theksoi faktin se institucionet e sigurisë kanë vërtetuar se numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS, duke konfirmuar kështu që origjina e kërcënimit është në Serbi”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, sot ka dështuar përpjekja e 43’të për konstitutimin e Kuvendit. Përpjekja e radhës do të bëhet të mërkurën.

Kategoritë
LajmeVendi