Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se mandati i NATO-s nuk ka ndryshuar në Kosovë. Ai e ka quajtur qëndrim të fortë të NATO-s, deklaratën e sekretarit Jens Stoltenberg për mundësinë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjskë.
I pyetur për këtë deklaratë, ambasadori Rohde ka thënë para gazetarëve se nuk i sheh deklaratat si diçka tjetër, veçse përkrahje për stabilitetin.
Këto komente ai i bëri pas hapjes së fushatës “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”.
“NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO-ja po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjskë duke ofruar siguri, sidomos në veri. Është e rëndësishme që të ketë siguri në veri”.
“Qëndrimi i NATO-s është edhe më i fortë, por s’do të thotë se ka ndryshim ligjor. NATO-ja ka mandat të qartë dhe ky mandat s’ka ndryshuar”.
Një ditë më parë, sekretari i NATO-s u shpreh në Kosovë se përgjegjësit e sulmeve të majit dhe shtatorit duhet të ndëshkohen. Ai ka thënë se ato kanë ngritur shqetësimet për kthimin e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor dhe se Aleanca është duke e shqyrtuar mundësitë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë./EO