Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve Reuters dhe Associated Press (AP) i kanë kërkuar Izraelit të hetojë urgjentisht sulmet ajrore mbi spitalin Nasser në Rripin e Gazës, ku u vranë të paktën 20 persona, përfshirë pesë gazetarë që punonin për Reuters, AP, Al Jazeera dhe media të tjera.
Reuters dhe Associated Press i kanë dërguar një letër të përbashkët zyrtarëve izraelitë, duke kërkuar një “shpjegim të qartë” për sulmet e dyfishta ajrore.
“Jemi të indinjuar që gazetarët e pavarur ishin mes viktimave të këtij sulmi mbi një spital – një vend i mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare. Këta gazetarë ishin aty në kapacitetin e tyre profesional, duke kryer punën e tyre”, thuhet në letër.
20 të vrarë
Bota është e tmerruar nga krimi i ri izraelit, por a ka dikush vullnet të ndalë gjenocidin në Gaza?
Agjencitë kanë vënë në dyshim gatishmërinë e ushtrisë izraelite për të hetuar këtë incident, duke pasur parasysh përvojën e saj të mëparshme. Ato kanë kërkuar, ndër të tjera, veprim “të menjëhershëm dhe transparent”.
“Fatkeqësisht, kemi zbuluar se gatishmëria dhe aftësia e IDF-it për të hetuar veten në incidentet e mëparshme rrallëherë sjell qartësi, gjë që ngre pyetje serioze, përfshirë edhe nëse Izraeli po synon qëllimisht transmetimet live për të shtypur informacionet”, thanë ata.
Më shumë se 240 gazetarë palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit në Gaza që nga fillimi i luftës, më 7 tetor 2023.