Reis Fejziq për ngjarjet në Mal të Zi: Problemi nuk janë turqit, synimi është destabilizimi i rrugës drejt BE-së

Për valën e dhunës që ka përfshirë Malin e Zi, gjatë së cilës janë dëmtuar disa lokale në pronësi të shtetasve të Republikës së Turqisë, ka reaguar reis-ul-ulema i Bashkësisë Islame në Mal të Zi dhe kryemyftiu Rifat ef. Fejziq.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin X, ai tha se disa politikanë po nxisin me qëllim turmat.

“Dalldisin disa politikanë për të nxitur urrejtje, e nuk u vjen rëndë ta mashtrojnë një pjesë të popullit, duke përhapur me vetëdije të pavërteta nga lloje të ndryshme, deri në numrin prej 110 mijë turqish. Disa politikanë bien pre e kësaj. Por këtu problemi nuk janë turqit — problemi i tyre është Mali i Zi, si ta destabilizojnë dhe ta ndalin rrugën e tij drejt Evropës,” shkroi Fejziq.

Shkaku i trazirave në kryeqytetin e Malit të Zi ishte një incident ku një grup shtetasish turq sulmuan dhe plagosën me thikë një person nga Podgorica.

Policia malazeze ka zhvilluar bastisje në disa lokacione dhe ka ndaluar gjithsej 45 shtetas turq.

Qeveria e Malit të Zi dje miratoi vendimin për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për shtetasit turq.

Kategoritë
LajmeRajoni