Regjimi i Vuçiqit me numër rekord sulmesh ndaj gazetarëve në Serbi

Pothuajse një vit pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, që mori 16 jetë dhe shkaktoi valë protestash në gjithë vendin, gazetarët që raportojnë për këto ngjarje vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj sulmeve, kërcënimeve dhe dhunës.

Sipas të dhënave të organizatës Reporterë pa Kufij (RSF), në 12 muajt e fundit janë regjistruar të paktën 89 sulme fizike ndaj punonjësve të mediave – numri më i lartë që nga viti 2008.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar 82 raste, dhe gati gjysma e incidenteve i atribuohen pjesëtarëve të policisë. Në shumë raste, sipas RSF, organet e rendit nuk kanë reaguar kur sulmet janë kryer nga përkrahës të pushtetit.

Një nga shembujt më të spikatur ndodhi më 11 tetor, kur gazetari i pavarur Dalibor Stupar u përpoq të filmonte mbërritjen e aktivistëve proqeveritarë me autobusë në një kundër-miting të pushtetit në Beograd. Policia e shtyu dhe ia mori telefonin, duke thënë se “nuk ka të drejtë të raportojë për një tubim publik”.

Stupar, që punon për agjencinë “Beta” dhe portalin “Autonomija”, simbolizon gjendjen e gazetarëve në Serbi, të cilët prej një viti përballen me pengesa dhe presione gjatë raportimit për protestat.

Në bashkëpunim me Shoqatën e Pavarur të Gazetarëve të Serbisë (NUNS), RSF ofron mbështetje financiare dhe teknike për t’u siguruar gazetarëve në terren jelekë dhe përkrenare mbrojtëse.

“I japim nderim gazetarëve serbë që me guxim raportojnë për protestat, pavarësisht dhunës së institucionalizuar të regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq”, – thuhet në deklaratën e RSF-së.

Organizata u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndihmojnë në mbrojtjen e gazetarëve dhe ndëshkimin e sulmuesve, duke paralajmëruar se liria e medias dhe e drejta e publikut për informim në Serbi janë seriozisht të kërcënuara.

Paralajmërimi i Parlamentit Evropian

Në rezolutën e miratuar më 22 tetor 2025, Parlamenti Evropian kritikoi ashpër pushtetin në Serbi, duke kërkuar ndërprerjen e fushatës së urrejtjes ndaj gazetarëve dhe protestuesve.

Në dokument thuhet se “shumë gazetarë janë sulmuar ose u është mohuar mbrojtja gjatë raportimit”, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç i ka paraqitur protestat si “revolucione me ngjyra të financuara nga shërbimet perëndimore”.

Parlamenti paralajmëron se kjo retorikë, e përhapur nga mediat proqeveritare, “nxit armiqësi ndaj gazetarëve të pavarur dhe demonstruesve”.

Kritikohet veçanërisht presioni politik ndaj televizionit N1, redaksia e të cilit është nominuar për çmimin e guximit në gazetari për vitin 2025 nga RSF.

Një javë para miratimit të rezolutës, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Beograd, bëri thirrje për “përparim në fushën e lirisë së medias”, por pa masa konkrete.

Nëntë organizata ndërkombëtare, përfshirë RSF, paralajmëruan se heshtja e BE-së ndaj gjendjes së lirisë së shtypit në Serbi mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për Ballkanin Perëndimor.

“Komisioni Evropian duhet të përdorë instrumentet që ka në dispozicion, përfshirë pezullimin e përkohshëm të fondeve, për të dërguar një mesazh të qartë se mbështet gazetarinë e pavarur dhe lirinë e medias në rajon,” – thuhet në deklaratën e përbashkët të 13 tetorit.

Novi Sad: Dy ditë brutaliteti

Që nga gushti 2025, RSF ka regjistruar dy ditë veçanërisht të dhunshme protestash në Novi Sad.

Më 5 shtator, policia sulmoi disa gazetarë – Emir Kahrimanović (021.rs), Katarina Stevanović (Vreme), Nemanja Šarović (KTV), si dhe Ksenija Pavkov dhe kolegun e saj nga N1. Gjatë hyrjes në Universitetin e Novi Sadit, u arrestuan anëtarë të portalit studentor Blokada info dhe u konfiskua pajisja e tyre.

Më 11 tetor, gazetaret Darija Matić (Mašina.rs) dhe Brankica Matić (Storyteller), si dhe gazetarët Miljko Stojanović dhe Anđela Risantijević (Glas Zaječara), u përballën me përdorim të tepruar force. Po atë ditë, një burrë ndoqi dhe kërcënoi gazetaren Lea Apro (N1), duke i kapur dorën dhe ia mori telefonin – sulmuesi u arrestua, gjë që RSF e cilësoi si një përjashtim të rrallë.

Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Medias 2025, Serbia renditet në vendin e 96 nga 180 shtete dhe territore.

“Këto shifra tregojnë se gazetarët në Serbi punojnë në një mjedis ku dhuna është bërë sistemike, ndërsa pandëshkueshmëria është rregull,” – përfundon RSF

Kategoritë
LajmeRajoni