– Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur për Tribunalet Penale (IRMCT) në Hagë të Holandës, ka refuzuar kërkesën për lirimin e Ratko Mlladiqit, i njohur me nofkën “Kasapi i Bosnjës”, për arsye shëndetësore
Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur për Tribunalet Penale (IRMCT) në Hagë të Holandës, ka refuzuar kërkesën për lirimin e Ratko Mlladiqit, i njohur me nofkën “Kasapi i Bosnjës”, për arsye shëndetësore, transmeton Anadolu.
IRMCT njoftoi vendimin e saj, duke refuzuar kërkesën për lirimin e parakohshëm të ish-gjeneralit serb të Bosnjës, 83-vjeçar, Mlladiq, për “arsye të detyruar humanitare”.
Vendimi vuri në dukje se shëndeti i Mlladiqit është i brishtë për shkak të moshës së tij, por i qëndrueshëm, duke shtuar se “Mlladiq po i afrohet fundit të jetës së tij, por nuk vuan nga një sëmundje akute terminale”.
Në vendimin i cili vendos që Mlladiq mund të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor në qendrën e paraburgimit dhe spitalin e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Hagë, thuhet se “rregulloret aktuale ofrojnë kujdes me cilësi të lartë të përshtatur për gjendjen e tij specifike”.
Shëndeti i Mlladiqit do të monitorohet rregullisht dhe po merren masat e nevojshme paraprake, theksohet në vendimin ku bëhet e ditur se vizitat familjare mund të lehtësohen në varësi të evolucionit të gjendjes së tij, duke arritur në përfundimin se “paraburgimi i Mlladiqit nuk është çnjerëzor ose degradues”.
Ndër të tjera vendimi thotë se Mlladiq, i cili u shpall përgjegjës për rolin e tij në luftën e Bosnjës dhe veçanërisht për gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995, ka vuajtur më shumë se 14 vjet nga dënimi i tij me burgim të përjetshëm.
Mlladiq, komandoi trupat serbe gjatë gjithë luftës së Bosnjës dhe u fsheh për 16 vjet pas një aktakuze në vitin 1995 dhe pasi u kap në një fshat serb më 26 maj 2011 ai u ekstradua në Hagë dhe u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.