Reagim nga menaxhmenti i RTK-së: S’i kemi pranuar ende mjetet buxhetore për gjashtëmujorin e dytë të vitit, rrezikohet ekzekutimi i pagave për stafin

Menaxhmenti i RTK-së ka dal me një reagim sa i përket gjendjes financiare.

Në reagimin e bërë, menaxhmenti tregon se deri më sot nuk ka pranuar ende mjetet buxhetore për gjashtëmujorin e dytë për vitin 2025, shkruan lajmi.net
Si pasojë e kësaj, rrezikohet ekzekutimi i pagave për stafin dhe përmbushja e obligimeve të tjera operacionale.
Reagimi i plotë nga menaxhmenti i RTK-së: 
Lidhur me gjendjen financiare të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK)

 

Prishtinë, 31 korrik 2025

Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) njofton se, deri më sot, dita e fundit e muajit korrik, nuk ka pranuar ende mjetet buxhetore të parapara për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025. Si pasojë, po rrezikohet ekzekutimi i pagave për stafin, si dhe përmbushja e obligimeve të tjera operacionale.

RTK ka njoftuar me kohë për situatën dhe ka dërguar kërkesa zyrtare tek mekanizmat institucional të Republikës së Kosovës, mirëpo deri në këtë moment nuk ka pranuar përgjigje zyrtare dhe as ndonjë informacion për rrjedhën e mëtejme.

Menaxhmenti ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur stabilitetin e institucionit, përmes optimizimit të brendshëm dhe menaxhimit racional të resurseve, por kriza aktuale nuk mund të tejkalohet pa mbështetje të menjëhershme.

RTK është një shtyllë thelbësore e informimit publik dhe një nga institucionet me mision kushtetues në shoqërinë demokratike të Kosovës. Çdo vonesë e mëtejshme rrezikon drejtpërdrejt jo vetëm funksionimin institucional, por edhe besimin qytetar në shërbimin publik.

Në mungesë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, RTK apelon për reagim imediat nga Qeveria, si dhe kërkon që kjo çështje të trajtohet me prioritet të lartë institucional.
Me respekt,
Menaxhmenti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi