Rasti që tronditi Spanjën: Si gaboi aplikacioni që supozohej të mbronte gratë nga partnerët e dhunshëm?

Rasti i vrasjes së vajzës Catalina ka tronditur opinionin publik në Spanjë, dhe kjo tragjedi ka hapur sërish diskutime mbi rolin e teknologjisë në vlerësimin e rrezikut të dhunës në familje ndaj grave.

Catalina kishte raportuar partnerin e saj të dhunshëm në polici në qytetin bregdetar Benalmádena. Rasti i saj ishte regjistruar në aplikacionin VioGén.

Bëhet fjalë për një aplikacion që, bazuar në përgjigjet e 35 pyetjeve, vlerëson rrezikun e përsëritjes së dhunës në familje. Kur një grua i përgjigjet pyetjeve, aplikacioni jep një vlerësim të rrezikut si “i papërfillshëm”, “i ulët”, “i mesëm”, “i lartë” dhe “ekstrem”.

Sipas përgjigjeve të Catalinës, VioGén kishte vlerësuar rastin e saj si “rrezik i mesëm”, dhe në përputhje me këtë, policia kishte kryer vetëm një vizitë “brenda 30 ditëve.”

Ajo kishte tentuar gjithashtu të merrte një urdhër ndalimi për ish-partnerin e saj, por gjykata në Malaga e kishte refuzuar kërkesën.

Tre javë më vonë, ish-partneri i saj hyri në shtëpinë ku po flinin Catalina, fëmijët e saj dhe nëna, dhe e dogji shtëpinë. Fëmijët, nëna dhe ish-partneri mbijetuan, por Catalina humbi jetën.

Edhe pse ish-partneri u arrestua menjëherë, ky rast nxiti debate serioze rreth përdorimit të aplikacionit VioGén në vlerësimin e rrezikut të përsëritjes së dhunës në familje.

Edhe pse sisteme të tilla ekzistojnë në mbarë botën, Spanja është një rast specifik sepse policia ndjek verbërisht vlerësimin e aplikacionit, ndërsa në SHBA apo Britaninë e Madhe, varësisht nga rëndësia e rastit, autoritetet veprojnë sipas rrezikut real.

Mesatarisht, VioGén vlerëson se nëntë deri në dhjetë gra çdo muaj janë në rrezik “ekstrem” nga dhuna në familje, dhe këto gra marrin mbrojtje të plotë policore 24 orëshe. Gratë që marrin vlerësimin “rrezik i lartë” gjithashtu marrin mbrojtje, por në një shkallë më të ulët.

Përveç kësaj, rasti i Catalinës ka vënë në qendër të vëmendjes edhe gjyqësorin, veçanërisht gjyqtarët që vlerësimin e VioGén-it e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të vendimeve të tyre. Gjyqtarja që kishte refuzuar urdhrin e ndalimit për ish-partnerin e Catalinës është kritikuar ashpër në opinionin publik spanjoll.

Organizata Eticas ka kryer një hetim mbi përdorimin e sistemit VioGén dhe ka gjetur 71 raste të grave për të cilat rreziku ishte vlerësuar si “i papërfillshëm” ose “i ulët”, por që u vranë nga ish-partnerët e tyre.

Megjithatë, Juan José López-Ossorio, i cili drejton departamentin për hulumtime mbi dhunën gjinore dhe atë në familje, e hodhi poshtë këtë raport, duke thënë se “nuk janë përdorur të dhënat e sakta” të këtij aplikacioni.

Pavarësisht reagimit të tij, rasti i Catalinës e ka vënë sërish në pikëpyetje përdorimin e këtij aplikacioni, por edhe zbatimin e verbër të vlerësimeve që ai jep.

Kategoritë
BotaLajme