Rashiq dënon rastin e djeshëm në Veri, do të kërkojë nga IPK ‘‘hetim urgjent’’: Goditje ndaj vlerave themelore demokratike

Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, ka reaguar në lidhje me rastin e djeshëm që ka ndodhur në Mitrovicën e Veriut, duke e dënuar ashpër këtë incident dhe duke shtuar se, sipas kësaj partie ka pasur ‘‘përdorim të papërshtatshëm të forcës nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj një maturanti’’ 

Rashiq ka deklaruar se përdorimi i mundshëm i forcës ndaj të rinjve përbën një goditje serioze ndaj vlerave themelore demokratike dhe përkeqëson edhe më tej marrëdhëniet tashmë të brishta në veri të Kosovës.

Po ashtu, në reagim njoftohet se Rashiq ka biseduar me Xhelal Sveçlën dhe ka kërkuar që të ndërmerren masat e mundshme për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.

‘‘Gjithashtu, Rashiq njoftoi se të hënën do të dorëzojë një kërkesë zyrtare pranë Inspektoratit të Policisë së Kosovës për një hetim urgjent dhe gjithëpërfshirës mbi të gjitha rrethanat e këtij rasti, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësisë dhe parandalimit të incidenteve të ngjashme në të ardhmen’’, thuhet mes tjerash në reagim.

Reagimi:

Partia “PËR LIRI, DREJTËSI DHE MBIJETESË” dënon ashpër incidentin e djeshëm që ndodhi në Mitrovicën e Veriut, gjatë të cilit dyshohet se pati përdorim të papërshtatshëm të forcës nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj një maturanti. Përdorimi i mundshëm i forcës ndaj të rinjve, veçanërisht në momente simbolike siç është festa e maturës, përbën një goditje serioze ndaj vlerave themelore demokratike dhe përkeqëson edhe më tej marrëdhëniet tashmë të brishta në veri të Kosovës, deklaroi lideri i partisë dhe ministri Nenad Rashiq.

Ministri Rashiq konfirmoi se ka zhvilluar tashmë një bisedë me homologun e tij Xhelal Sveçla dhe i ka kërkuar atij që të ndërmerren të gjitha masat e mundshme për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla. Gjithashtu, Rashiq njoftoi se të hënën do të dorëzojë një kërkesë zyrtare pranë Inspektoratit të Policisë së Kosovës për një hetim urgjent dhe gjithëpërfshirës mbi të gjitha rrethanat e këtij rasti, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësisë dhe parandalimit të incidenteve të ngjashme në të ardhmen.

Partia “PËR LIRI, DREJTËSI DHE MBIJETESË” u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse dhe partnerëve ndërkombëtarë që ta ndjekin nga afër këtë rast dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi