Raportuesja e OKB-së për Palestinën e konsideron “shenjë faji” vendimin e SHBA-së për sanksione ndaj saj

– “Kur të fuqishmit ndëshkojnë ata që flasin në emër të të pafuqishmëve, kjo nuk është shenjë pushteti, por shenjë faji”, tha Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Francesca Albanese

Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Francesca Albanese, reagoi ndaj presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe vendimit të administratës amerikane për të vendosur sanksione ndaj saj, duke theksuar se ky vendim është “shenjë faji”, transmeton Anadolu.

Raportuesja Speciale e OKB-së, Albanese, reagoi në një postim në llogarinë e saj në platformën X ndaj vendosjes së saj nga SHBA-ja në listën e sanksioneve.

“Kur të fuqishmit ndëshkojnë ata që flasin në emër të të pafuqishmëve, kjo nuk është shenjë pushteti, por shenjë faji”, tha Albanese, duke bërë thirrje “të qëndrojmë të gjithë së bashku”.

Në një postim tjetër, ajo tërhoqi vëmendjen ndaj krizës humanitare në Gaza.

“Të gjithë sytë duhet të jenë nga Gaza. Fëmijët po vdesin nga uria në krahët e nënave të tyre, baballarët dhe vëllezërit po bombardohen ndërsa kërkojnë ushqim”.

Duke kërkuar që t’i jepet fund ngjarjeve në Gaza, Albanese tha: “Mjaft. Dërgoni flotat. Thyeni bllokadën. Mund ta bëjmë së bashku. Duhet ta bëjmë së bashku”.

– Vendimi për sanksione nga SHBA-ja

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, njoftoi se Albanese ishte vendosur në listën e sanksioneve për përpjekjet e saj për të detyruar Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN) të ndërmarrë veprime kundër SHBA-së dhe Izraelit.

SHBA-ja i kishte kërkuar më parë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që të përfundonte pozicionin e Albaneses.

Në një deklaratë me shkrim lidhur me kërkesën më 1 korrik, Misioni i Përhershëm i SHBA-së në OKB kishte kërkuar dënimin dhe shkarkimin e Albaneses, duke pretenduar se ajo kohët e fundit ka rritur retorikën e saj “anti-semite” dhe “anti-Izrael”.

Komiteti i Procedurave Speciale i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së dënoi ashpër vendimin e SHBA-së për të vendosur sanksione ndaj raportueses Albanese.

Kategoritë
BotaLajme