Raportuesit e OKB-së dënojnë urinë e qëllimshme të Izraelit ndaj popullit palestinez

– Raportuesit e OKB-së publikuan një deklaratë me shkrim në lidhje me gjendjen e vështirë të popullit palestinez, i cili është nën sulmet izraelite dhe është shtyrë drejt urisë

Raportuesit e OKB-së kanë dënuar veprimin e Izraelit duke lënë në uri dhe pa ujë në mënyrë të qëllimshme popullin palestinez, duke e përshkruar këtë si një krim kundër njerëzimit, transmeton Anadolu.

Raportuesit e OKB-së publikuan një deklaratë me shkrim në lidhje me gjendjen e vështirë të popullit palestinez, i cili është nën sulmet izraelite dhe është shtyrë drejt urisë.

Izraeli përdor privimin nga uji si një armë për të vrarë palestinezët, theksohet në deklaratën ku thuhet se “Ne dënojmë veprimin e Izraelit duke lënë në uri dhe pa ujë në mënyrë të qëllimshme popullin palestinez. Jemi të shqetësuar që Izraeli pengon në mënyrë të qëllimshme qasjen e palestinezëve për ujë të pijshëm të sigurt në Gaza dhe e konsiderojmë këtë një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar dhe një krim kundër njerëzimit”.

Deklarata thekson se pengesa e ujit dhe ushqimit është një bombë e heshtur, por vdekjeprurëse që vret kryesisht fëmijë dhe foshnje, dhe të shikosh foshnjat që vdesin në krahët e nënave të tyre është e padurueshme.

“Si mund të flenë udhëheqësit botërorë ndërsa kjo vuajtje vazhdon? Kjo katastrofë ishte e parashikuar. Bllokada dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile nga Izraeli ka zhvendosur shumicën e 2 milionë banorëve të Gazës dhe i ka lënë ata pa qasje as në ujë minimal të pijshëm. Kjo ka çuar në vdekje dhe sëmundje të përhapura të shkaktuara nga ndotja e ujit, si dhe në mungesë të sanitare dhe të higjienës. Këto sulme të qëllimshme, të përhapura dhe sistematike kundër palestinezëve përbëjnë një shkelje të qëllimshme të kushteve të jetesës, një tjetër akt gjenocidi, që synon shkatërrimin fizik të një popullsie”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën bëhet thirrje për dërgimin urgjent të karburantit, ujit, furnizimeve dhe personelit nga të gjitha portet e Mesdheut për të rivendosur shërbimet bazë në Gaza dhe për të përmbushur nevojat urgjente humanitare. Gjithahshtu vihet në dukje se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime për t’i dhënë fund kësaj situate çnjerëzore dhe të paligjshme në Gaza.

– Në Gaza po përjetohet krizë urie

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një video që ndau në llogarinë e tij X është shprehur se “Nuk ka uri në Gaza, nuk ka politikë urie në Gaza”.

Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.

Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Që nga 7 tetori 2023, të paktën 147 persona kanë vdekur për shkak të urisë që Izraeli imponon në Rripin e Gazës.

Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.

Kategoritë
BotaLajme