Rrabini frankofon David Daniel Cohen kërcënoi me vdekje Emmanuel Macronin në një video të publikuar në YouTube të martën e kaluar. Prokuroria njoftoi të premten se është hapur një hetim “në lidhje me kërcënimet me vdekje ndaj Presidentit të Republikës”.
“Ky president francez duhet ta dijë. Duhet të interesohet të përgatisë arkivolin e tij,” tha rabini David Daniel Cohen frëngjisht më 3 gusht, në një video të postuar në kanalin ‘Archives 260’.
Të premten, pas shumë raportimeve në rrjetet sociale, Ministria e Brendshme konfirmoi për Le Parisien se këto deklarata janë objekt kallëzimi nga Pharos dhe përdorimit të nenit 40, me qëllim që prokurori të nisë një hetim gjyqësor. “Këto komente janë të papranueshme,” u bë e ditur.
Pas sinjalizimeve të ministrit të brendshëm Bruno Retailleau dhe platformës Pharos, u hap një hetim “në lidhje me kërcënimet me vdekje ndaj presidentit të Republikës”, sqaroi prokuroria. Hetimi iu besua brigadës kriminale të policisë gjyqësore të Parisit.
Në këtë video 37-minutëshe të titulluar “Tefillah Moshe Rabbeinou – Fundi i Francës dhe Iranit” (Shënim i redaktorit: më pas u bë private), rabini David Daniel Cohen, një folës frëngjisht që duket se jeton në Izrael, sulmon me tone të ashpra presidentin Emmanuel Macron, deri edhe me kërcënime me vdekje.
Në videon e gjatë, rabini e krahason Emmanuel Macronin me perandorin romak Tit, i cili urdhëroi shkatërrimin e Tempullit të Dytë të Solomonit në Jerusalem, në vitin 70. Ai e akuzon presidentin francez se po rishkruan historinë duke propozuar njohjen e Shtetit të Palestinës në shtatorin e ardhshëm dhe se kjo është një “shpallje lufte kundër Zotit”.
“Ky zotëri që drejton Francën… e shprehu antisemitizmin e tij të thellë me këtë. Ky president francez duhet ta dijë se do të ketë të njëjtin fund si Titi. Më mirë të përgatisë arkivolin e tij. Zoti do të tregojë ç’do të thotë të duash të jesh kaq i pacipë dhe të bësh deklarata kundër Zotit, i cili ka thënë se kjo tokë do t’i kthehet popullit të Izraelit,” tha rabini.
David Daniel Cohen shkon aq larg sa t’u këshillojë francezëve të largohen nga vendi për të shmangur zemërimin e “HaShem-it”, mënyra hebraike e referimit ndaj Zotit.
Përveç kërcënimeve ndaj Emmanuel Macronit, rabini sulmon edhe palestinezët, të cilët i përshkruan si nomadë dhe banorë të përkohshëm të vendosur në një tokë që “nuk është e tyre”. “U këshilloj ngrohtësisht të nxitohen, të bëjnë gati valixhet dhe të largohen, sepse nuk do të jenë në gjendje të qëndrojnë në këtë tokë, çfarëdo që të ndodhë,” tha ai.
Faqja “Archives 260” përmban mbi 17,000 video të prezantuara si kurse mbi historinë biblike dhe kulturën hebraike. Një tjetër video në hebraisht me të njëjtin përmbajtje u postua në një kanal tjetër të YouTube-it të lidhur drejtpërdrejt me rabinin Cohen, i cili prezantohet si “deshifrues i Torës”.
Për më tepër, rabini David Daniel Cohen bashkëpunon rregullisht me mbi gjashtëdhjetë video në faqen “Torah Box”, që prezantohet si një organizatë e kushtuar përhapjes së judaizmit mes folësve frëngjisht në mbarë botën.
Këto komente shkaktuan një reagim të fortë nga përfaqësues të komunitetit fetar hebre në Francë.
“Dënoj me forcë komentet e ulëta dhe të papranueshme të Daniel David Cohen. Dua të theksoj se ai kurrë nuk ka ushtruar detyrë rabinike në Francë, nuk është formuar dhe as diplomuar në shkollën rabinike në Francë,” kritikoi kryerabini i Francës, Haïm Korsia, të premten pasdite.