– Kreu i një sindikate të punëtorëve tha se aksioni synon të bllokojë transferimin e pesë kontejnerëve të çelikut të gradës ushtarake që mbërritën nga India në një anije tjetër të destinuar për në Izrael
Qindra grekë u mblodhën në Portin e Pireut, i cili është një nga më të mëdhenjtë në Evropë, për të bllokuar një dërgesë çeliku të gradës ushtarake për në Izrael, raporton Anadolu.
Pjesëmarrësit, përfshirë punëtorët e portit dhe anëtarët e organizatave dhe shoqatave progresive pro-palestineze, si dhe simpatizantë të partive të ndryshme të majta, mbanin flamuj dhe banderola palestinezë duke shprehur solidaritet me kauzën palestineze dhe duke denoncuar luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza.
Duke folur për Anadolu, Markos Bekris, president i sindikatës së punëtorëve të trajtimit të kontejnerëve të portit (ENEDEP), tha se aksioni synon të bllokojë transferimin e pesë kontejnerëve të çelikut të gradës ushtarake që mbërritën nga India në një anije tjetër të destinuar për në Izrael.
“Absolutisht nuk duam që vendi dhe porti ynë të përfshihen në këtë luftë ose në transportin e pajisjeve ushtarake që do të përdoren në luftë. Nuk duam që këto pajisje ushtarake të përdoren kundër popullit palestinez, i cili po lufton për të krijuar shtetin e vet, as nuk duam që kjo të çojë në vrasjen e grave dhe fëmijëve. Ne nuk i lyejmë duart tona me gjakun e njerëzve të pafajshëm”, tha ai.
Katherina, një nga protestueset, theksoi se ngarkesa do të përdoret për të ndihmuar në vazhdimin e gjenocidit të palestinezëve në Gaza, si dhe akuzoi Bashkimin Evropian (BE) dhe Greqinë si bashkëfajtore.
Duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar me ofensivën brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 58.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.