Të punësuarit në sektorin privat ndihen të diskriminuar nga shteti pasi nuk u është ndarë ndihma prej 50 eurosh nga Qeveria e Kosovës për muajin janar, me qëllim të, siç është thënë, përballimit më të lehtë të inflacionit.
“Nuk e ndiejmë që jemi shtetas të Republikës së Kosovës. Shteti po na diskriminon”, thotë Hysni Gashi, i punësuar në një kompani pastrimi në sektorin privat.
Gashi, sikurse të punësuarit tjerë në këtë sektor, nuk ka marrë ndihmën prej 50 eurosh, të ndarë nga Qeveria e Kosovës për muajin janar, me qëllim të, siç është thënë, përballimit më të lehtë të inflacionit.
“Kjo është e padrejtë. Inflacioni na ka prekur edhe neve. Tatimin në pagë e paguajmë njëjtë si unë që punoj në sektorin privat, si ata që marrin pagë nga buxheti i shtetit”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me normë mesatare vjetore të inflacionit 11.6 për qind, krahasuar me 3.1 për qind sa ka qenë në vitin 2021.
Gashi thotë se në kompaninë ku punon tash e 16 vjet, paguhet rreth 300 euro në muaj dhe se nga kjo pagë varet gati e gjithë familja e tij 4-anëtarëshe.
Nga pakot mbështetëse të Qeverisë së Kosovës, punëtorët e sektorit privat me pagë mujore nën 1.000 euro kanë marrë në maj të vitit të kaluar nga 100 euro.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar në muajin dhjetor një raport për kushtet e jetesës në vitin 2020, në të cilin është konstatuar se 52 për qind e ekonomive familjare kanë pasur vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme, ndërsa 57 për qind e ekonomive familjare nuk kanë mundur të mbulojnë me mjete vetanake një shpenzim të papritur prej 100 eurosh.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, thotë se vendimi i Qeverisë për t’i ndihmuar vetëm të punësuarit në sektorin publik është i padrejtë.
Inflacioni ka prekur më shumë të punësuarit në sektorin privat, pasi që pagat janë më të ulëta. Në sektorin privat, punëtorët vazhdojnë të paguhen me pagë minimale. Janë në situatë të vështirë e të diskriminuar nga shteti”, thotë Azemi.
Projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së saj është miratuar në lexim të parë në qershor të vitit të kaluar dhe, nga ajo kohë, nuk ka pasur ndonjë lëvizje tjetër.
Qeveria ka thënë se do të subvenciononte 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët – maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.
Ministri i Financave, Pumës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha në një konferencë për media më 27 janar se punëtorëve në sektorin publik u është ofruar ndihmë, sepse punëdhënës e kanë shtetin.
“Kam bërë thirrje që punëdhënësit t’i rrisin pagat [e punëtorëve], sepse ka mundësi dhe ne do ta mbështesim këdo që rrit pagat”, tha Murati.
“Diku më shumë e diku më pak. Por, Qeveria është dashur ta ndihmojë edhe më shumë sektorin privat që të rriten pagat deri në normën e inflacionit”, ka thënë Rafuna.
Në sektorin publik janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro.

