Qeveria izraelite i shmanget përgjigjes ndaj deklaratës së Trumpit për “vdekjen e fëmijëve nga uria në Gaza”

– “Pas afërsisht dy vitesh lufte, është e qartë që situata në Gaza është e vështirë, por ekziston një gënjeshtër e përhapur nga mediat e huaja se Izraeli po ndjek një politikë urie”, tha ministri i jashtëm izraelit.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, shmangu t’u përgjigjej drejtpërdrejt komenteve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për urinë në Gaza, duke pretenduar se “media ndërkombëtare po përhap një gënjeshtër për një politikë urie”, transmeton Anadolu.

Gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Kudsin Perëndimor, Saar foli për Rripin e Gazës, i cili po përballet me një katastrofë humanitare për shkak të sulmeve dhe bllokadës së ndihmave humanitare të vendosura nga Izraeli.

Ai i quajti thirrjet për ndalimin e sulmeve dhe lejimin e ndihmave si pjesë e një “fushate të shtrembëruar presioni ndërkombëtar”. Sipas tij, qëllimi i dytë i këtij presioni është të detyrojë Izraelin të pranojë zgjidhjen me dy shtete, gjë që ai e kundërshtoi kategorikisht.

Saar deklaroi se “Izraeli nuk do të bëhet Çekosllovakia e shekullit XXI” dhe pretendoi se presioni ndërkombëtar po “saboton drejtpërdrejt” mundësinë e një armëpushimi dhe marrëveshjeje për shkëmbimin e pengjeve në Gaza.

Në konferencën për shtyp, Saar u pyet për deklaratën e Trumpit nga Skocia, ku presidenti amerikan tha: “Ne mund të shpëtojmë shumë njerëz. Disa nga ata fëmijë me të vërtetë po vdesin nga uria. Unë e shoh këtë dhe nuk mund të jetë një shpikje”. Ai u pyet nëse e pranon që në Gaza ka uri.

Saar shmangu një përgjigje të qartë, duke thënë: “Pas afërsisht dy vitesh lufte, është e qartë që situata në Gaza është e vështirë, por ekziston një gënjeshtër e përhapur nga mediat e huaja se Izraeli po ndjek një politikë urie”.

I pyetur nëse Izraeli planifikon të aneksojë disa pjesë të Gazës, Saar nuk komentoi, duke përmendur “debate të brendshme”.

Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Gazës prej 18 vitesh dhe, që nga 2 marsi, ka mbyllur të gjitha pikat e kalimit, duke bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe duke përkeqësuar kushtet për 2.4 milionë banorët e enklavës palestineze.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 147 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023, përfshirë 88 fëmijë.

Izraeli, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka vrarë më shumë se 60 mijë palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar një krizë të rëndë urie.

Të hënën, grupet izraelite për të drejtat e njeriut “B’Tselem” dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael, e akuzuan Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe rrënimin e qëllimshëm të sistemit shëndetësor në enklavë.

Kategoritë
BotaLajme